Megaskandali i impianteve të mbetjeve, pas Elbasanit radhën e ka Fieri

Shqipëria

Megaskandali i impianteve të mbetjeve, pas Elbasanit radhën e ka Fieri

Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 10:12
Foto ilustrim

Pas hetimeve të Inceneratorit të Elbasanit që kulmoi me arrestimin e ish-ministrit dhe me shpalljen në kërkim të dy personave të tjerë, radhën në dosjet e SPAK-ut e ka Fieri! Për llogari të kësaj dosjeje janë thirrur të dëshmojnë deputeti Alqi Bllako dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.

Ndërsa deputeti ka hyrë dhe dalë nga dyert e Prokurorisë së Posaçme pa u vënë re nga askush, Subashi pas një qëndrimi prej afro 5 orësh në zyrat e prokurorëve ka folur edhe për mediat.

Ai ka treguar vetëm gatishmëri për t’u paraqitur sa herë të jetë nevoja, ndërkohë që nuk ka folur në lidhje me çka është pyetur, duke i qëndruar faktit se dëshmia e tij është sekret hetimor.

E ndërsa Subashi mësohet se është thirrur të dëshmojë në cilësinë e personit që ka dijeni për të gjithë hapat që janë ndërmarrë në që nga paraqitja e ofertës e deri te konsultimet me banorët e zonës.

Ndërsa Bllako është thirrur si personi që ka qenë në një pozicion të rëndësishëm në Ministrinë e Mjedisit, në kohën kur edhe janë lëshuar firmat për licencat e impianteve.

Prokuroria e Posaçme ka qenë hermetike me dëshmitë e këtyre dy personave, ndërkohë bëhet me dije se do të jenë me dhjetëra zyrtarë lokalë dhe të lartë, të cilët do të paraqiten për të dëshmuar në lidhje me atë që konsiderohet një ndër aferat më të mëdha të ndodhura në vendin tonë.

Në listën e prokurorëve që po hetojnë çështjen e inceneratorëve sipas të dhënave konfidenciale gjenden emra ministrash e kryebashkiakësh, të cilët në ditët në vijim do të dëshmojnë në SPAK.

DËSHMIA E SUBASHIT

Sipas të dhënave, kryetari i Bashkisë së Fierit është marrë në pyetje për shumë orë në Strukturën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Objekt kryesor mësohet se ka qenë nënshkrimi i kontratës së Inceneratorit me vlerë 28 milionë euro.

Kryebashkiakut i janë kërkuar të dhëna rreth paraqitjes së ofertës, procedurave të ndjekura nga bashkia, shpronësimet por dhe konsultimet që janë zhvilluar me banorët e zonës.

Subashi është akuzuar nga opozita se ka miratuar procedura pa marrë vendimin e këshillit bashkiak si në rastin e shpronësimit të tokës, e cila në zërin kadastral është arë, por është paguar si truall.

Po ashtu ai mësohet se ka dhënë shpjegime edhe në lidhje me dëgjesat fiktive për këtë projekt, dëgjesa të konkluduara edhe nga një raport i Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ky i fundit sipas të dhënave ka hartuar një raport që iu është vënë në dispozicion hetuesve të çështjeve të inceneratorëve e kjo jo vetëm për rastin e Fierit, por për të gjitha rastet ku është vendosur të ngrihen inceneratorët.

Një tjetër pikë, sipas të dhënave jo zyrtare bëhet me dije se është edhe shpallja e emergjencës mjedisore, e cila është cilësuar si një veprim në shkelje dhe pa respektuar institucionet e tjera vendimmarrëse nga ana e Bashkisë por do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë nëse ka ndodhur dhe mënyrën se si është realizuar.

Po ashtu, bëhet me dije se Subashi ka dhënë shpjegime për të gjitha të dhënat që prokurorët kanë disponuar në formë pyetjesh, kryesisht për protokollimet e takimeve dhe mënyrën se si janë realizuar shpronësimet për vendndodhjen e inceneratorët 28 milionësh.

RRËFIMI I BLLAKOS

Hetimet sa i përket Inceneratorit të Fierit që ka një vlerë prej 28 milionë eurosh mësohet se kanë prekur edhe deputetin Alqi Bllako. I riu që ka qëndruar prej shumë vitesh në pozita drejtuese në Ministrinë e Mjedisit, më pas në Presidencë dhe në AKUM (Agjencia e Kanalizimeve, Ujësjellësit dhe Mbetjeve) i ka bërë një parapritë thirrjes së djeshme për të dëshmua në SPAK.

Ai pasi u vu në akuza si personi kyç në procesin e ngritjes së inceneratorëve, u zbulua se në njërin prej tyre babai i tij paguhej me shifër të çmendur.

Në një reagim në dhjetorin e kaluar, ai mohoi të ishte i përfshirë jo vetëm në ato afera prej miliona eurosh, por madje as kishte firmosur ndonjëherë ndonjë dokument që lidhej me ngritjen e incineratorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat