Aksioni kundër mashtrimit me Call Center në Tiranë, në operacion edhe pala gjermane! Policia: 21 persona të shpallur në kërkim

Shqipëria

Aksioni kundër mashtrimit me Call Center në Tiranë, në operacion edhe pala gjermane! Policia: 21 persona të shpallur në kërkim

Më: 17 mars 2022 Në ora: 14:24
Foto ilustrim

Policia ka dhënë detaje për operacionin e finalizuar sot me urdhër të SPAK kundër mashtrimit me anë të Call Center në Tiranë.

Në pranga janë vënë 15 persona ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe 21 të tjerë. Në këtë operacion ka qenë i përfshirë edhe pala gjermane.

“Të ardhurat që përfitohen nga kjo skemë janë nga veprimtaria kriminale dhe në rast se këto para investohen janë para që pastrohen.

Call Center që ata kanë pasur është një mundësi që ata të bëjnë pastrim parash në këtë subjekt. Policia e shtetit ka informacione të plota për të gjithë Call Center në Shqipëri”.

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj u shpreh se hetimet kanë nisur pas letërporosisë së ardhur nga pala gjermane.

Ai u shpreh se janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj që janë përdorur për t’i kontaktuar dhe pas për t’i tërhequr drejt skemës së mashtrimit.

“Gjithashtu, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës”, tha Vocaj.

Deklarata e plotë e Tonin Vocajt

Finalizohet operacioni policor i koduar “SKEMA”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Operacioni nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e SPAK-ut.  Vihen në pranga 15 shtetas, procedohen penalisht 35 shtetas dhe shpallen në kërkim 23 shtetas të tjerë.  Sekuestrohen qindra pajisje kompjuterike, pajisje telefonike, karta, USB dhe dokumente të ndryshme.

Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e SPAK-ut, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.300/2021 dhe në zbatim të Vendimit nr. 359 datë 05.10.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “SKEMA”.

Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të zbatimit të letërporosisë së ardhur nga organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe me partnerët e saj gjermanë, ka filluar hetimet në lidhje me një aktivitet kriminal në fushën e “Mashtrimit kompjuterik“ e cila kishte të bënte me platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se prej disa vitesh, një subjekt tregtar nën emërtimin “Blu energy call“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave së thirrjeve telefonike ose siç njhet në vendin tonë “call center“. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët gjermanë u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Hetimet intensive prej disa muajsh të zhvilluara në vendin tonë bënë të mundur identifikimin e drejtuesve të këtij subjekti, skemën e funksionimit, si dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal.

Nga veprimet hetimore të kryera, si dhe nga ndërhyrja policore në subjektin “Bluenergycall“ nga ana e Njësisë së Hetimit të Krimeve kibernetike e mbështetur dhe nga strukturat e tjera të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale u realizua operacioni policor “SKEMA“.

Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambjente në të cilat ushtrohej aktiviteti kriminal në fushën e krimeve kibernetike, në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.

U ndaluan 15 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

U proceduan në gjendje të lirë 35 shtetas.

U shpallën në kërkim 21 shtetas të tjerë.

Shtetasit e mësipërm u proceduan për veprën penale “Mashtrim Kompjuterik”,  kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar bga nenet 143/b/1, 333/a, 334 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj.

Në kryerjen e operacionit policor morën pjesë dhe organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Prokurorit të ardhur nga Republika Federale Gjermane dhe një skuadre të strukturave të hetimit kibernetik.

Gjithashtu, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës.

Nga ana e Njësisë C – Hetimi i Krimit Kibernetik, nën drejtimin e Prokurorisë se Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Për ecurinë e këtij hetimi do të ketë komunikime të tjera për shtyp

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat