Gripi i shpendëve/ Groposen në Shijak pulat e infektuara, raste edhe në Lushnjë dhe në Prespë

Shqipëria

Gripi i shpendëve/ Groposen në Shijak pulat e infektuara, raste edhe në Lushnjë dhe në Prespë

Më: 22 mars 2022 Në ora: 13:03
Foto nga vendi i ngjarjes

Pulat që kanë ngordhur si pasojë e gripit të shpendëve janë groposur gjatë natës në Shijak. Raportohet se pas groposjes vendi është dezinfektuar me solucionet përkatëse për të shmangur çdo problem infeksioni.

Por megjithatë duket se kjo nuk e ka ndalur gripin që të përhapet. Pas Durrësit, dyshimet se ky grip ka mbërritur dhe në fermat e Divjakës dhe Lushnjes kanë shkaktuar alarm në vendin tonë.

Mësohet se në një fermë në fshatin Grabian të Lushnjes kanë ngordhur 60 pula. Dyshimet e para janë se janë prekur me gripin e shpendëve. Në këtë fermë ka shkuar edhe veterineri për të marrë kampione që do të dërgohen për analiza në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) Tiranë.

Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Korçë ka konfirmuar këtë të martë se një çift pelikanësh, i gjetur i ngordhur disa ditë më parë në liqenin e Prespës së Vogël, kanë qenë të prekur nga gripi i shpendëve. Pak ditë më parë Agjencia e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit lajmëroi se gripi i shpendëve ka qenë aktiv në liqenin e Prespës në anën greke. Me sa duket virusi ka prekur dhe shpendët në territorin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat