Deputeti i PD denoncoi pagesën 926 mijë euro për siguracionet e udhëtimit, reagon MEPJ: Ja e vërteta

Shqipëria

Deputeti i PD denoncoi pagesën 926 mijë euro për siguracionet e udhëtimit, reagon MEPJ: Ja e vërteta

Më: 20 prill 2022 Në ora: 16:34
Olta Xhaçka

Ministria për Europen e Punët e Jashtme ka reaguar pas denoncimit që bëri në rrjetet sociale, deputeti i PD, Lefter Gështenja i cili tha se qeveria do shpenzojë 926 mijë euro vetëm për të paguar siguracione udhëtimi për punonjësit e ministrisë së Jashtme deri në fund të këtij viti, teksa e quajti këtë një procedurë luksi.

Në sqarimin për mediat, MEPJ thotë se ministria “nuk ka prokuruar “siguracion udhëtimi” por mbulimin me sigurime shëndetësore, të shëndetit në udhëtim dhe të jetës së diplomatëve”.

Sqarim i MEPJ për opinionin publik:

Jemi njohur sot me një deklaratë publike të deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Lefter Gështenja, përmes së cilës ai akuzon MEPJ se, përmes “procedurave të luksit” po shpenzon për “siguracion udhëtimi” për diplomatët e Shërbimit të Jashtëm që përfaqësojnë Shqipërinë jashtë vendit. Dëshirojmë të informojmë z. Gështenja që siç shkruhet e zezë mbi të bardhë në dokumentin e publikuar prej tij, por që ai mesa duket nuk di ta lexojë, MEPJ nuk ka prokuruar “siguracion udhëtimi” por mbulimin me sigurime shëndetësore, të shëndetit në udhëtim dhe të jetës së diplomatëve.

Dëshirojmë po ashtu të informojmë z. Gështenja, që udhëtimet dhe qëndrimi jashtë vendit janë një pjesë thelbësore e punës së çdo diplomati të Shërbimit të Jashtëm. Është kjo arsyeja përse ky Shërbim quhet i Jashtëm dhe përse kjo Ministri quhet Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Mbulimi i sigurimeve shëndetësore, të shëndetit në udhëtim dhe jetës të diplomatëve kur ata shërbejnë jashtë vendit apo udhëtojnë për arsye pune, është një detyrim ligjor i MEPJ. Ky mbulim, në përputhje me ligjin, aplikohet prej dekadash dhe nuk është një praktikë e aplikuar për herë të parë gjatë vitit 2021. Duhet theksuar po ashtu që edhe fondi i alokuar nga MEPJ për këtë procedurë prokurimi është i njëjtë me fondin e alokuar gjatë viteve të fundit dhe i parashikuar në Ligjin për Buxhetin e Shtetit.

Ligji nga ana tjetër, nuk parashikon askund mbulimin me “siguracion udhëtimi”, çka është edhe arsyeja përse MEPJ nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për një shpenzim të tillë. Të akuzosh MPEJ përse paguan sigurimet e shëndetësore, të shëndetit në udhëtim dhe të jetës, të diplomatëve të Shërbimit të Jashtëm shqiptar është po aq e pakuptimtë sa të akuzosh MEPJ përse paguan qiratë e zyrave e të banesave të diplomatëve që përfaqësojnë Shqipërinë nëpër botë. Ne besojmë që është e pajustifikueshme, për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë që të lëshojë akuza të tilla të pabaza, në një kohë që ka akses tek i gjithë informacioni i nevojshëm për të kuptuar sesi qëndron realisht situata.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat