Veliaj uron Fiter Bajramin besimtarëve myslimanë: Aleanca e qytetit me besimin është e shenjtë

Shqipëria

Veliaj uron Fiter Bajramin besimtarëve myslimanë: Aleanca e qytetit me besimin është e shenjtë

Më: 2 maj 2022 Në ora: 10:56
Veliaj uron Fiter Bajramin besimtarëve myslimanë: Aleanca e qytetit me besimin është e shenjtë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për ditën e Fiter Bajramit. I shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro, Veliaj zhvilloi një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, nga ku edhe i përcolli urimet e tij kreut të këtij komuniteti, Bujar Spahiu.

“Dita e Bajramit është një ditë që fton një pafundësi besimtarësh, saqe edhe sheshi “Skënderbej” duket i vogël. Më vjen mirë për frymën e solidaritetit dhe jam shumë krenar për komunitetin mysliman, për myslimanët e Tiranës. Nuk ka pasur një njësi administrative që nuk ka shtruar një iftar për të pamundurit, apo që nuk ka çuar pako ushqimore. Sot do të jemi në disa shtëpi të reja që dhurohen për ata që janë më në nevojë”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se për një kryetar bashkie, aleati më i madh është besimtari, ndërsa e konsideroi të shenjtë këtë aleancë në qytetin e Tiranës.

“Për një kryetar bashkie, për një administrator të qytetit, aleati më i madh është besimtari. Besimtari nuk ndot, nuk shan, nuk thyen, nuk vandalizon, nuk pret një pemë, nuk hedh plehrat në lumë apo në liqen, dhe e konsideroj një aleancë të shenjtë të qytetit me besimin sepse një qytet i mbushur me besimtarë, është një qytet i mbushur me kryeqytetarë dhe për këtë ju jam shumë mirënjohës”, tha Veliaj.

Ai falenderoi këdo që në këtë muaj të begatë ka dhënë diçka për njerëzit në nevojë dhe për komunitetin.

Kush ka bërë një dhurim – disa mund të kenë bërë dhurata të mëdha siç ishte xhamia e re shumë e bukur në Mullet për atë komunitet të Mulletit, të Petrelës, të zonës së kodrinave të Tiranës – i falenderoj shumë sipas mundësive. Ata që kanë bërë më pak i falenderoj po aq shumë sepse secili nuk matet nga sasia e dhuratës që ka bërë, por nga ajo që ka dhënë prej zemrës dhe prej mundësisë që ka. Jam sot plot me krenari dhe mirënjohje. Ju uroj të gjithëve gëzuar festën dhe ashtu si ky shi sot, qoftë me bereqet, për të mira për të gjithë familjet e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat