Mesazh me tritol në makinë menaxherit të resortit në Vlorë/ Çfarë fiksuan kamerat e sigurisë në zonë - Zbardhet dëshmia e 31-vjeçarit

Shqipëria

Mesazh me tritol në makinë menaxherit të resortit në Vlorë/ Çfarë fiksuan kamerat e sigurisë në zonë - Zbardhet dëshmia e 31-vjeçarit

Më: 31 maj 2022 Në ora: 15:56
Foto ilustrim

Një tjetër shpërthim eksplozivi tronditi Vlorën, ndërsa në shënjestër ishte një automjet

Ngjarja u regjistrua në lagjen “Pavarësia” të qytetit bregdetar. Automjeti në pronësi të një 31-vjeçari me profesion ekonomist ishte i parkuar në momentin e shpërthimit.

NGJARJA

Kanë qenë dy persona të maskuar ata që i kanë vënë lëndën shpërthyese automjetit. Ngjarja është regjistruar në orët e hershme të qytetit, duke shkaktuar dëmtime të shumta të mjetit. Sipas Policisë, shpërthimi ndodhi rreth orës 02:55 të mëngjesit të djeshëm. “Më datë 30.05.2022, rreth orës 02:55, në lagjen ‘Pavarësia’, Vlorë, në automjetin tip ‘Audi’, në pronësi të shtetasit E. K., 31 vjeç, banues në Elbasan, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar eksplozive, ku si pasojë ka vetëm dëme materiale”, sqaroi shkurtimisht Policia. Lënda eksplozive është vendosur në pjesën e përparme të automjetit, duke shkaktuar dëmtime të mëdha.

Nga ngjarja, fatmirësisht nuk pati persona të lënduar për shkak të orarit që autorët zgjodhën për të vendosur lëndën eksplozive. Ngjarja, me sa duket, ishte më shumë një mesazh për 31-vjeçarin nga Elbasani. Grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit.

HETIMET

Policia e Vlorës nuk ka asnjë person të dyshuar mbi vendosjen e lëndës plasëse. Burime nga Policia e Vlorës thanë se dyshohet se mbi automjet të jetë vendosur rreth 200 gramë lëndë eksplozive e telekomanduar. Menjëherë pas ngjarjes, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe nga këqyrja e tyre rezulton që në vendosjen e tritolit të kenë marrë pjesë dy persona, të cilët kanë qenë të maskuar, çka vështirëson identifikimin e tyre. Pamjet e kamerave të sigurisë janë prova kryesore në duart e hetuesve dhe analizimi i tyre pritet të japë më shumë të dhëna mbi autorët.

DËSHMIA

Ermal Kasa nga Elbasani, pronari i automjetit që iu vendos lënda eksplozive, jeton prej pak kohësh në qytetin e Vlorës. Mësohet se ai punon si menaxher në një resort dhe kazino në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin bregdetar. Pas ngjarjes, është ai marrë në pyetje nga hetuesit, ku mësohet të ketë deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë, çka nuk u jep ndihmesë hetuesve për të zbardhur ngjarjen.

Dy janë pistat ku po hetohet rreth ngjarjes, ajo e një konflikti të mundshëm që lidhet me vendin e punës si dhe ndonjë konflikt që mund të ketë pasur kohë më parë në Elbasan. Hetimet po përqendrohen në këtë drejtim, pavarësisht se 31-vjeçari ka mohuar gjithçka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat