Moti i keq në Shqipëri u merr jetën dy personave

Shqipëria

Moti i keq në Shqipëri u merr jetën dy personave

Më: 10 qershor 2022 Në ora: 00:21
Pamje nga Shqipëria

Për pak orë pjesë të ndryshme të Shqipërisë u goditën nga një mot i keq, me reshje shiu dhe shkarkime elektrike.

Rrufetë kanë shkaktuar dëme duke djegur dy banesa. Një në Razëm të Shkodrës por vetëm më dëme materiale dhe shtëpia tjetër që është goditur nga rrufeja është në fshatin Dedaj të Shkrelit, shkruan TopChannel.

Në njërën banesë ndodhej edhe 51-vjeçari A. I. që ka pësuar lëndime dhe djegie në trup nga rrufeja dhe flakët. Ai është transportuar në spitalin e Shkodrës por atje ka ndërruar jetë.

Viktima e dytë këtë të enjte u gjet në ujërat pranë portit të Vlorës. Ai është një 74-vjeçar dhe ende nuk është zbuluar arsyeja se përse i moshuari ishte rrëmbyer nga dallgët e detit. Trupi i tij është nxjerrë nga policia kufitare e Vlorës.

Moti i keq me shtrëngata ka goditur edhe pjesë të tjera të vendit. Lumi Lana në Tiranë ka vërshuar, ku në pak minuta ra një sasi shumë e madhe shiu.

Sinoptikanët lajmëruan se sasia e reshjeve ishte sa gjysma e atyre të një muaji të tërë. Ndërkohë zonat më të goditura nga stuhia janë ato që ndodhen ne mes të lumenjve Mat dhe Osum.

Epiqendra e rrebesheve është zona Krujë-Tiranë-Elbasan-Gramsh ku ranë deri në 50 milimetra shi. Në mbrëmje moti i keq zhvendoset në Berat e Gjirokastër ndërsa të premten dhe në fundjavë rikthehen ditët me diell.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat