I martuar, por ish i dashuri refuzon te ndahet nga 27-vjeçarja. Rreh atë dhe të ëmën e moshuar

Shqipëria

I martuar, por ish i dashuri refuzon te ndahet nga 27-vjeçarja. Rreh atë dhe të ëmën e moshuar

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 15:30
Foto ilustrim

Një i ri i cili u nda nga e dashura, ishte e pamundur t’i dilte inati për lamtumirën për të cilën fajësonte edhe mamanë e vajzës së ëndrrave.

32-vjeçari nga Mirdita me banim në Astir me inicialet E.T u denoncua nga nënë e bijë që pasi duruan për një kohë të gjatë mesazhet dhe kërcënimet e tij, nuk duruan dot më pasi ai sulmoi të moshuarën.

“Isha me mamanë dhe po e ndihmoja të ngjiste shkallët për në banesën ku banojmë, kur E., ish i dashuri im për një kohë të gjatë, na ka ndjekur nga pas dhe në katin e dytë të pallatit na doli përpara. Unë u frikësova dhe ika me vrap, por E. kapi mamanë time, e shtyu dhe e goditi me shkelma. Ai e kapi për flokësh. Mua personalisht kësaj rradhe nuk arriti të më dhunojë sepse ika me shpejtësi”, thotë e reja sipas burimeve policore të Gazetasi.al.

Hetimi i mëpasshëm i policisë që u njoftua në kohë rekord për ndihmë, tregon se çifti bashkëjetoi për një kohë të gjatë derisa e reja u bind se me 32-vjeçarin nuk kishte të ardhme pasi ai nuk punonte dhe midis tyre nuk kishte komunikim të shëndetshëm.

“Pas ndarjes ai qëndronte poshtë pallatit. Më krijoi ankth, ndryshova gjithë rutinën dhe sa herë më arrinte më godiste me shuplaka”, kujton e reja, një 27-vjeçare e cila punon në një institucion shtetëror. Kur policia e shoqëroi në komisariat të riun, mësoi realisht se përse e moshuara ishte kundër kësaj lidhjeje.

“Në të vërtetë e dashura ime nuk iu ka thënë krejt të vërtetën. Unë jam i martuar dhe nuk kemi bashkëjetuar, por unë hyja e dilja pa teklif në banesën e tyre. Nga kjo histori e gjatë ku i kam ofruar mbështetje financiare asaj dhe të ëmës, ajo kërkoi që unë të ndahesha dhe të merrja një drejtim. Por divorci ishte i vështirë pasi kam dy fëmijë të vegjël dhe këtu nisën konfliktet që besoj i frymëzonte e ëma e saj”, shpjegoi burri i martuar.

Por 32-vjeçari nuk sqaroi në polici pamjet filmike që e tregojnë teksa qëndron për orë të tëra në një lokal pranë banesës të ish të dashurës.

“Kam dashur ta takoj dhe ta sqaroj se e kisha të pamundur të vazhdoja me të, për t’i dhënë arsyet që janë fëmijët.Ishte ajo që më la dhe më takonte t’i tregoja se përse zgjodha bashkëshorten, por L. më shmangte sa herë. Edhe atë ditë tentova t’ia shpreh të gjitha pengesat, por ajo më shpërfilli. Nëna e saj më ofendoi dhe doli përpara të bijës, nuk kisha ndër mend të prekja asnjërën me dorë. Desha vetëm të më dëgjonte. Por në atë çast kur L. iku e frikësuar prej meje dhe e ëma më pengoi, e shtyva”.

Kështu dëshmon 32 vjeçari në polici, sipas të cilit e moshuara u rrëzua aksidentalisht. Por e moshuara i thotë policisë se vajza nuk kishte asnjë informacion që po frekuentohej me një burrë të martuar.

“Kjo është një akuzë hakmarrëse prej tij. Vajza dhe ne nuk e kishim këtë informacion. Ai mbajti lidhje paralele, kishte grua dhe fëmijë dhe prej kohësh mashtroi vajzën se donte të martohej me të dhe se ishte i dashuruar pas saj. Ne i hapëm derën dhe e pranuam derisa vajza zbuloi martesën dhe fëmijët, ishte shokuese për të gjithë ne, një i martuar që gënjen dhe shtiret si beqar. Kjo ështe e neveritshme” deklaron e moshuara që pasi foli me të bijën dhe ajo vendosi për t’u ndarë, nuk e la në asnjë çast vetëm.

“Jam e qartë se çfarë fëmijësh kam rritur. Ne të dy si prindër kemi qenë mësues dhe as që do pranonim një implikim të vajzës me një burrë të martuar i cili e fshehu jetën e tij, gruan dhe fëmijët sikur të mos ishin asgjë”, thotë më tej në dosjen që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al nëna e inxhinieres.

“Atë ditë ishte bërë si i çmendur dhe nuk do pranoja kurrë që fëmija im të rrihet dhe t’i ngrihet dorë ndaj saj. U përlesha me këtë njeri që është një mashtrues ordiner i cili mohon familjen e tij”, mbyll akuzat e saj nëna e L. që realisht më pas solli arrestimin e 32 vjeçarit për akuzën e dhunës në familje.

“Praktikisht çifti nuk janë një familje, megjithatë ligji e cakton që edhe historitë me ish partnerë caktohen nga kodi Penal sipas nenit 130/ a/1 si marrëdhënie bashkëjetuesish që në nivel kushtetues garantohen dhe mbrohen”, deklaroi avokati i të dyja grave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat