Përfundon me tensione protesta për vdekjen e 7-vjeçares, përplasje me policinë - qytetarët ultimatum Ramës

Shqipëria

Përfundon me tensione protesta për vdekjen e 7-vjeçares, përplasje me policinë - qytetarët ultimatum Ramës

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 19:32 Përditësuar në ora: 21:08 më 04.08.2022
Pamje nga protesta

Protestuesit ‘ultimatum’ Ramës

Protesta për ngjarjen e rëndë në Himarë po vazhdon, ku protestuesit i janë drejtuar presidencës ku qendron Bajram Begaj.

Qytetarët protestuan fillimisht para Ministrisë së Brendshme shkuan në Kryeministrisë ku ndezën qirinj në kujtim të 7-vjeçares që u vra në Potam të Himarës pasi u përplas nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

Qytetarët i kërkuan kryeministrit Rama që të shkarkojë deri të hënën ministrat Çuçi, Kumbaro dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Protestuesit paralajmëruan se nëse Rama nuk zbaton ultimatumin e tyre, nuk do i ndalin protestat.

“Të dashur qytetarë kemi një ultimatum për Kryeministrin nëse deri të hënën nuk shkarkon përgjegjësit e vrasjes së Jonadës, Çuçin, Kumbaron drejtorin e policisë do të vijojmë me protesta të pandalshme. Vrasja e Jonadës nuk mbyllet këtu, do të kërkojmë drejtësinë deri në fund”, thanë protestuesit.

Protesta për tragjedinë e Himarës, Berisha dhe Meta shtrëngojnë duart

Dy ish-kryeministrat Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë bashkë në protestën e ngritur për tragjedinë e ndodhur dy ditë më parë në Himarë.

Atje u vra me skaf nga një polic, një vajzë vetëm 7-vjeçare.

Meta dhe Berisha janë takuar me qytetarët dhe më pas të dy janë vendosur në të njëjtin vend, përballë Kryeministrisë.

Ndërkohë protesta është zhvendosur para Presidencës, ndërsa disa protestues të tjerë kanë filluar të shpërndahen.

Berisha i bashkohet protestës, qytetarët kërkojnë largimin e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar protestës që po zhvillohet para ministrisë së Brendshme për vrasjen e 7-vjeçares që u përplas nga një skaf që drejtohej nga Arjan Tase në plazhin e Himarës.

Por, në protestë ka patur qytetarë të cilët nuk kanë dashur praninë  e Berishës në protestë dhe i kanë kërkuar të largohet.

Qytetari: Largohu nga këtu. Ik politika.

Berisha: Mos i luaj. Janë ata të cilët që sa herë bien ngushtë, kërkojnë të largohet politika nga problemi, por politika është dhe do jetë në epiqendër të problemit”.

Tragjedia në Himarë, Meta: Të japin dorëheqjen 2 Ministrat dhe kryebashkiaku i Himarës ose të shkarkohen

Duke e konsideruar një ngjarje të paralajmëruar aksidentin tragjik në Potam të Himarës që i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare, Ilir Meta thotë se kjo situatë nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.

Sipas tij, ministrja e Turizmit, ministri i Brendshëm dhe kreu i bashkisë Himarë duhet të japin dorëheqjen ose të shkarkohen nga Rama.

Meta: Nuk është rastësi por një ngjarje e paralajmëruar. Vetëm pak kohë më parë dy qytetarë u plagosën në Jalë në rrethana të ngjashme. Asnjë masë nuk është marrë për të zbatuar ligjin, jo vetëm kaq por edhe cinizmi që mos prishni imazhin e turizmit më të sigurtë dhe më të mirë në rajon.

Zgjidhja është protesta dhe vendosja e llogaridhënies në çdo nivel, zgjidhja është dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi i tyre. Besoj se Shqipëria ka nevojë për protesta çdo ditë dhe kudo nga çdo qytetar. Derisa kryeministri dhe qeveria nuk ndalin së vjedhuri çdo ditë.

Tragjedia në Himarë/ “Nuk e vrau varka, por shteti”, reperi i njohur bëhet pjesë e protestës

Ka nisur para disa minutash protesta që po zhvillohet para ministrisë së Brendshme me moton:  “Nuk e vrau varka, por shteti”.

Kjo protestë vjen pas tragjedisë së ndodhur në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare Jonada Avdia, u aksidentua për vdekje nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

Qindra qytetarë janë bërë pjesë e protestës, me pankarta në duar dhe thirrje për drejtësi.

Mes tyre është vënë re dhe reperi i njohur Stresi, i cili më herët ka reaguar i revoltuar në rrjetet sociale, duke u shprehur se ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, duhet të japin dorëheqjen.

Protesta për vdekjen e 7-vjeçares në Himarë, mbërrin ish-kryeministri Berisha

Ka mbërrituar Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në protestën që po zhvillohet përpara Ministrisë së Brendshme për vdekjen e 7-vjeçares Jonada Avdia.

Krahas qytetarëve dhe aktivistëve, protestës i është bashkuar dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Më herët, edhe Partia e Lirisë njoftoi se Ilir Meta do të jetë i pranishëm, por deri më tani nuk ka ardhur.

Tensionohet situata/ Protestuesit përplasen me policinë te ministria e Brendshme: E vrau shteti

Situata në protestën që po zhvillohet para ministrisë së Brendshme është tensionuar, ku ka pasur qytetarë që janë përplasur me forcat e policisë.

Përplasja erdhi pasi qytetarët tentuan të futeshin në godinat e ministrisë, por kordoni i policisë i ka ndaluar.

Protestuesit kërkojnë dënimit maksimal për autorin e ngjarjes Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf vajzën 7-vjeçare në Himarë dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe asaj të Turizmit, Mirela Kumbaro.

Qytetarët iu kërkojnë policëve që të “heqin kapelen” dhe ti bashkohen protestës.

“Nuk e vrau varka, por shteti”, nis protesta për vdekjen e 7-vjeçares në Himarë

Ka nisur grumbullimi i personave që po marrin pjesë në protestën që do zhvillohet para Ministrisë së Brendshme, e thirrur kjo nga Shoqëria Civile nën moton: “Nuk e vrau varka, por shteti”.

Kjo protestë vjen pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare Jonada Avdia, u aksidentua për vdekje nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase, i cili më parë kishte mbajtur edhe postin e kreut të Komisariatit të Himarës.

Ndërkohë kujtojmë se përgjatë këtyre ditëve, janë mbajtur homazhe, me qirinj e lule, në vendin ku e vogla humbi jetën, si dhe para Kryeministrisë.

Po ashtu edhe Dom Gjergj Meta organizoi ditën e djeshme një marshim homazh në Shëngjin, që nisi nga Kisha e Shëngjinit në orën 19:00 dhe vijoi përgjatë bregdetit, ku qytetarët mbajtën lule dhe qirinj në duar.

Në mbështetje të kësaj proteste ka dalë edhe Partia Demokratike, si dhe Partia e Lirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat