Mirë turp që s’ka, po frikë nga drejtësia hyjnore a ka ky njeri?

Shqipëria

Mirë turp që s’ka, po frikë nga drejtësia hyjnore a ka ky njeri?

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 22:51
Edi Rama

Ka tre ditë që deti i plazheve shqiptare ka rënë sus. Nuk shihet asnjë jetski, gomone a skaf që të trazojë ujërat e as zemrat e pushuesve në breg. Ka 3 ditë që shqiptarët vajtojnë fatin e një vajze të vogël të copëtuar nga një kriminel, ndërsa luante në breg të detit. Ka 3 ditë që nëpërmjet fatit të kësaj vogëlusheje, dritë në Parajsë, shqiptarët vajtojnë fatin e tyre.

Në të njëjtën kohë, kryeministri i shqiptarëve, një njeri i paskrupullt e me mendje të çartur, ka 3 ditë që shan e mallkon në Twitter kundërshtarët e vet politikë dhe këdo që ka dalë e ka kërkuar drejtësi për bijën e dy emigrantëve që kalonin pushimet në Shqipërinë amë. Edi Rama ka 3 ditë që poston vrer kundër gjithkujt që ka folur për të vërtetën, atë të një Shqipërie ku ligji nuk ekziston; ku krimineli të rrah, të vret e pastaj të zgërdhihet para syve; ku laci është veshur me pushtet dhe mbrohet nga pushteti; ku trafikanti është polic dhe s’ia ka frikën askujt. Në krye të një shteti të tillë, të shkatërruar prej tij dorës vetë, Kryeministri i Shqipërisë gdhend në statuse nga kolltuku i butë i ndonjë vile, statuse të llojit “drejtësia të dënojë maksimalisht….”

Mirë turp që s’ka, po frikë nga drejtësia hyjnore a ka ky njeri?

Dhe nuk e mbyll me kaq. Pa u tharë ende dheu mbi trupin e vajzës 7 vjeçare, vrarë nga një gomone në breg të detit, Edi Rama nis atë që di të bëjë më mirë: propagandën. Dhe a e dini cili është argumenti pas të cilit do të fshihet diktatori ynë kësaj here: ngjarje të tilla ndodhin në të gjithë botën!

Çfarë gjakatarësh!

Mos e kujtoni propagandën si diçka të thjeshtë e të lehtë për tu bërë. Kjo e llojit të Edi Ramës është e menduar deri ne djallëzi. Do mendje diabolike. Dhe ja ku është rasti. Në fillim dolën ca marioneta të tij me këtë variantin, “ngjarje të tilla ndodhin në gjithë botën”, e pastaj pa pritur pa kujtuar, ndërkohë që, njerëzit me të drejtë i kërkonin dorëheqjen, doli edhe Ministrja e Turizmit dhe i vuri vulën: ndodhi për shkak të marrëzisë së një njeriu.

Jo moj zonjë e mallkuar jo! Jo more shërbëtorë të Dreqit, jo! As nuk ndodh në të gjithë botën dhe as nuk ndodhi prej marrëzisë së një njeriu.

Vogëlushen 7 vjeçare e vrau arroganca e llojit tuaj. E vrau një polic, i akuzuar për trafik droge, por i ricikluar nga shteti që keni ndërtuar ju. E vrau ai ligji që nuk e zbatoni kurrë sepse edhe sikur të duan, forcat e rendit janë të zhveshura përballë policëve të llojit të Arjan Tases. Vogëlushen 7 vjeçare, që detin Jon e kishte edhe pjesë të emrit, e vratë ju me shtetin kriminal që keni ndërtuar. Jonada Avdia humbi jetën sepse ky është një vend ku krimineli është i paprekshëm, vrasësi del të nesërmen nga burgu, trafikanti pi kafen me kryeministrin ndërsa qytetari i thjeshtë është i zënë me luftën e përditshme për mbijetesë.

Asgje e tillë nuk ndodh në atë botën e qytetëruar për të cilën flasin langonjtë e kryeministrit.

Po! Kryhen krime ne Amerike dhe Evropë. Ka pasur plot raste që psikopatë kanë hyrë në shkolla, qendra tregtare e rrugë e kanë vrarë me dhjetëra, por këta janë njerëz të sëmurë.  Patologji për të cilët flet edhe mjekësia. Dhe po, këta nuk i shmang dot.

Por ky nuk është rasti i “marrëzisë që vret” moj  e nderuara zonja Kumbaro. Ti dhe këta bijtë e tjerë të Djallit, pa provoni të shkoni në një plazh ne Greqi, Itali, Spanjë, SHBA a diku tjetër e ti hipni gomones për të “bërë spektakël në breg të detit”. Çfarë ndodh? A ju lejon njeri? Jo ore jo, se shkon mbas hekurave. Pa provoni ju bijtë e Djallit të shkoni në Itali, Greqi, Spanjë, SHBA e gjetkë e të vrisni një njeri. A e shikoni më dritën e diellit? Jo ore jo! Se atje ka shtet e ligje. Atje jeta ka vlerë! Atje jeta dhe njeriu janë mbi gjithçka.

Prandaj heshtni të paktën! Heshtni dhe respektoni, qoftë për sy e faqe, ata prindër që JU i shuat dritën e syve.

Heshtni dhe vazhdoni rrugën për ne Ferr. Edhe pak ju ka mbetur për të arritur në destinacion./Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat