Vrau fqinjin me kallash pas sherrit për drutë e zjarrit, si u arrestua pas 48 orësh autori teksa po tentonte arratinë jashtë vendit!

Shqipëria

Vrau fqinjin me kallash pas sherrit për drutë e zjarrit, si u arrestua pas 48 orësh autori teksa po tentonte arratinë jashtë vendit!

Më: 13 gusht 2022 Në ora: 12:52
Klodian Keqi

Dy dytë pasi një 55- vjeçar u vra me breshëri kallashnikovi në zonën e Fushë-Krujës, Policia ka arritur të arrestojë autorin e dyshuar, i cili po përpiqej të arratisej jashtë vendit.

Operacioni i koduar “Horizonti” çoi në pranga shtetasin, Klodian Keqi, i cili ishte shpallur në kërkim menjëherë pas vrasjes së Luan Hushit.

OPERACIONI

Keqi, 40-vjeçar dhe me precedentë të mëparshëm penal, ka tentuar të arratiset drejt shtetit grek në mënyrë të paligjshme, i ndihmuar edhe nga dy bashkëpunëtorë. Policia e Durrësit tha se arrestimit i autorit të krimit erdhi pas 48 orë kërkimesh. Në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krujës, është bërë i mundur lokalizimi i 40- vjeçarit në zonën e Konispolit.

“Falë organizimit të operacionit policor të koduar “Horizonti”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Policinë Kufitare Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, në Konispol të Sarandës, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin Klodian Keqi, 40 vjeç, për veprat penale “Vrasja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”. Gjithashtu, shërbimet e policisë, së bashku me 40-vjeçarin, kapën dhe arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, edhe shtetasit: L. K., 25 vjeç dhe L. Gj., 30 vjeç, të cilët po shoqëronin dhe ndihmonin autorin e dyshuar për t’u larguar nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek”, sqaroi Policia.

NGJARJA 

Ngjarja e rëndë u regjistrua mëngjesin e 10 gushtit në fshatin Zgërdhesh të Fushë-Krujë, pas një konflikti për drutë midis viktimës dhe autorit, ndërsa ky i fundit mori armën kallashnikov dhe qëlloi me disa plumba 55-vjeçarin, Hushi, i cili ndërroi jetë më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas burimeve nga Policia, vrasja dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të vjetra për një pyll në fshatin Zgërdhesh. Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat e armës dhe kur janë afruar kanë gjetur të plagosur rëndë bashkëfshatarin Luan Hushi, të cilin e transportuan drejt spitalit të Traumës në kryeqytet, por pak minuta më vonë 55- vjeçari ndërroi jetë.

Forcat e rendit shkuan në vendin e krimit dhe identifikuan si autor shtetasin, Klodian Keqi, fqinj i viktimës. Burimet bëjnë me dije se dy, bashkëfshatarët prej kohësh kishin konflikte me njëri-tjetrin e ndërsa mëngjesin e së mërkurës, Keqi kishte parë që 55-vjeçari Hushi ndodhej në zonën e pyllëzuar ku ishte afruar për të sqaruar edhe konfliktet që ata kishin me njëri-tjetrin. Por, situata ka degjeneruar në përdorimin e kallashnikovit. Klodian Keqi, rezulton person me precedent të mëparshëm penal. Në vitin 2010, Keqi së bashku me vëllanë e tij kanë tentuar të vrasin një tjetër persona, ngjarje e lidhur po me çështje pronësie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat