Moti bën “kërdinë” në Shqipëri! Probleme të mëdha, banesa dhe toka të përmbytura

Shqipëria

Moti bën “kërdinë” në Shqipëri! Probleme të mëdha, banesa dhe toka të përmbytura

Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 10:27
Shqipëri

Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë, ku reshjet e shiut në disa zona po shkaktojnë përmbytje.

Problematike situata është në qarkun e Shkodrës, ku si rezultat i reshjeve të shumta ka pasur dalje të përrenjve nga shtrati dhe përmbytje të një sipërfaqe prej 400 ha në Fushën e Muriqanit, në Njësinë Administrative Ana e Malit.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton se ka prezencë uji në lagjen Kasape, njësia administrative Guri i Zi, për shkak të bllokimit nga inertet të Urës së Pistallës. Po ashtu prezencë uji ka dhe në fshatin Shirq, njësia administrative Dajç. Ndërkohë, kanë dale nga shtrati përroi i quajtur Gline dhe lumi Gjadër te cilat kane dëmtuar rrugë lagjesh edhe infrastrukturën në Qytetin e Vau Dejesit dhe Njesinë Hajmel, Shllak. Mësohet se nuk ka energji elektrike ne pothuajse te gjitha njësite administrative.

Mes të tjerash thuhet se kanalet kulluese në Velipojë, Dajç dhe Bërdicë janë tejmbushur, ndërsa raportohet se ka dëmtime të rrugëve dytësore në të gjitha njësitë po ashtu dhe mungesë të energjisë elektrike. Po ashtu raportohet se në rrugën kryesore në Zues, lëvizet vetëm nga një krah, pasi pjesa tjetër është bllokuar me inerte.

Ndërkohë, në Theth mësohet se ka dalë nga shtrati përroi Nikgjonaj, ku ka prezencë uji në 3 banesa. Nikshiqi raporton mes të tjerash se reshjet me intensitet të lartë vazhdojnë dhe në territorin e Bashkisë së Malësisë së Madhe, ku si rezultat i rënies në sasira të mëdha Përroi i thatë në fshatin Kamicë ka dalë nga shtrati, ndërsa në Bajzë ujerat kane depërtuar në 2 banesa, atë të Mark Qosjas dhe Asllan Culajt ku mjetet e MNZSH kanë punuar për thithjen e ujit me pompa.

Probleme me energjinë në Gjirokastër

Nga ana tjetër, moti i keq me reshje dhe shtrëngata shiu, ka lënë pa energji elektrike me dhjetera fshatra në Bashkinë e Gjirokastrës. Sipas informacioneve nga gazetarja Brikena Metaj, duke iu referuar informacioneve zyrtare nga Njësitë Administrative, banorët e fshatrave të Çepos, Odries, Lazaratit, Picarit dhe Lunxherise ndeshen me mungesën e energjisë elektrike qysh prej mesnatës.

Pezullohet lundrimi në Sarandë

Ndërkohë, moti i keq ka përfshirë dhe Sarandën. Për shkak të përkeqësimit të kushteve meteorologjike lundrimi për te gjitha mjetet në Sarandë do pezullohet “Si rezultat i erave te forta me drejtim JUG-JUGLINDJE në daten 19-22 Nëntor 2022 moti do jetë i përkeqësuar. Zonat bregdetare do të përfshihen nga era me forcë 5-8 Bft me shpejtësi 15-20 m/s, lartësi dallge 1.80-3.50 m. Përmirësimi i situatës meteorologjike do të jetë mbas datës 22 Nëntor 2022.”, thuhet në njoftim.

Përmbyten disa akse në Lezhë

Prej mbrëmjes te se shtunës rajoni i Lezhës është përfshirë nga stuhi me reshje shiu. Për rrjedhoje janë krijuar probleme në zonën turistike të Shëngjinit, ku janë përmbytur disa akse rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Gjithashtu raportohet se ka shtim të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Mat, por aktualisht nuk kanë rrezik për dalje nga shtrati. Nga moti i keq është pezulluar dhe lundrimi detar për të gjitha mjetet, pasi dallgëzimi është shumë i lartë. Po ashtu ka probleme me furnizimin me energji elektrike në fshatra për shkak të dëmtimit të linjave, ndërsa grupet e punës të OSHEE ndodhen me terren për riparimin e defekteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat