Presidenti apel politikës në Ditën e Pavarësisë: Zgjedhjet e ardhshme vendore, mundësi për bashkëpunim!

Shqipëria

Presidenti apel politikës në Ditën e Pavarësisë: Zgjedhjet e ardhshme vendore, mundësi për bashkëpunim!

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 20:27
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në Ditën e Pavarësisë u ka bërë një apel partive politike, që të kontribuojnë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë, Begaj u shpreh se zgjedhjet e ardhshme vendore janë një mundësi bashkëpunimi.

“Zgjedhjet e ardhshme vendore janë mundësi për të demonstruar bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë politike e institucionale, për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Si Presidenti i Republikës, në interes të kombit dhe të ardhmes tonë ftoj aktorët politik dhe institucional, shoqëritë civile dhe mediat, cdo shqiptar që ti përkushtohemi vizionit për Shqipërinë e gjeneratës tjetër,  vendin e projektuar për të qenë anëtar i denjë i BE”, theksoi Presidenti.

Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se edhe pse të ndarë në disa shtete, faktori shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e diasporë  ka qenë, është, dhe do  të jetë i bashkuar, në mbështetje të destinacionit tonë të përbashkët në familjen Euro-Atlantike.  Bajram Begaj vlerësoi edhe raportet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

“28 nëntori, data që bën bashkë, me mendime e me zemër, çdo shqiptar dhe çdo mik të shqiptarëve. Kjo datë është mishërimi i sakrificës, gjakut dhe kontributit të paçmuar të atdhetarëve e heronjve tanë kombëtarë. Flamuri që nderojmë sot është vetë historia jonë; – histori e sakrificave më sublime për të mbrojtur, me çdo çmim e në çdo kohë, atdheun, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar.  

Sot festojmë 110 vite nga dita, kur patriotë dhe delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me përgjegjësi kombëtare dhe historike, njëzëri pagëzuan shtetin e ri shqiptar, atdheun që kemi sot. Ata kishin fe dhe formime të ndryshme, por të gjithë ndanin të njëjtin vizion për Shqipërinë: vizionin e një shteti të lirë, të pavarur e demokratik.

E ndaj, ata burra dhe familje të mëdha shqiptare kanë nderimin dhe mirënjohjen tonë të përjetshme. Rruga jonë për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale është një rrugë pa kthim, ashtu si angazhimi ynë për paqen dhe dialogun.

Shqipëria është sot anëtare e denjë e aleancës më të suksesshme në histori, në NATO, me pjesëmarrje aktive në misione në mbështetje të paqes e stabilitetit në rajon e në botë. Vendi ynë përfaqësohet po aq denjësisht në OKB, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit dhe e angazhuar në forume globale.

Shqipëria ka  treguar se është mbështetëse e vlerave demokratike, e fqinjësisë së mirë dhe derë e hapur për miq e njerëz në nevojë.

Vendi ynë është krenar për miqësinë dhe aleancën strategjike me SHBA, vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjitha vendet mike dhe aleate në botë. Jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre! Fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një arritje historike, që njeh përkushtimin ndër vite të institucioneve shqiptare.

Shqipëria, pas një vlerësimi historik, do të mirëpresë liderët Evropianë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Ky është një mesazh inkurajimi për të ardhmen evropiane të shqiptarëve në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e rajonit. 

Edhe pse të ndarë në disa shtete, faktori shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e diasporë  ka qenë, është, dhe do  të jetë i bashkuar, në mbështetje të destinacionit tonë të përbashkët në familjen Euro-Atlantike. 

Vizioni mbarë-popullor për të qenë pjesë e familjes evropiane duhet të jetë premisa dhe shtysa për bashkëpunim konstruktiv, politik e parlamentar, për vijimin e reformave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.  Qytetarëve ju duhet dhënë siguri që reforma në drejtësi ka ngritur institucione të besueshme dhe të përgjegjshme, që garantojnë të drejtën e tyre për drejtësi dhe barazi para ligjit.  Brezat e rinj kanë nevojë të shohin perspektivë të qartë zhvillimi, demokraci funksionale, hapësirë për idetë e tyre dhe optimizëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Diaspora duhet të gëzojë të drejtën e votës dhe të mbështetet me programe që nxisin kontributin, ekspertizën dhe investimet e tyre”, tha nder te tjera Begaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat