Gati pr/ligji për bastet sportive online

Shqipëria

Gati pr/ligji për bastet sportive online

Më: 28 mars 2023 Në ora: 23:50
Edi Rama

Qeveria ka gati projektligjin e basteve online që shumë shpejt pasi të kalojë fazën e konsultimit publik do të çohet për shqyrtim në Parlament. Vetë Kryeministri zbulon se në draft parashikohet se të ardhurat e siguruara nga lejimi i këtij aktiviteti i shpallur i paligjshëm po nga qeveria Rama 4 vite më parë, do të shkojnë vetëm për sportin dhe kulturën.

“Kështu që në vend që ky të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon dhe shumë para e zezë të kthehet në një aktivitet të formalizuar ku të ketë akses kompanitë e mëdha ndërkombëtare, ku të ketë garanci për lojtarët në të gjitha aspektet, gjë të cilën nuk e kanë sot ata që luajnë dhe ku sipas ligjit të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë sportit, do t’i shkojnë kulturës dhe do t’i shkojnë teknologjisë. E kemi përcaktuar shumë qartë në ligj që këto para nuk mund të merren dhe të shkojnë për të mbuluar nevoja të tjera të qeverisë, por do të jenë të fokusuara vetëm këtu”.

Rama pranon se ndalimi i basteve online nuk e ka frenuar këtë fenomen, ndërsa shpjegon parashikimet ligjore për menaxhimin e fondit që do të përfitohet nga taksat që do mblidhen nga bastet online.

“Do të kemi një strukturë të re e cila do të bëjë administrimin apo më saktë mbikëqyrjen e gjithë funksionimit të kësaj industrie të re dhe ndërkohë do të kemi një bord kombëtar ku do të jenë pjesëmarrës përfaqësues nga qeveria, kryetari i Komitetit Olimpik,  Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit për të përcaktuar ndarjen e fondeve në mënyrë periodike sipas projekteve dhe sipas nevojave të federatave sportive, të sektorit të kulturës, të grupeve apo subjekteve të ndryshme që janë të interesuara për të zhvilluar projekte kulturore dhe patjetër të më të rinjve që janë të përfshirë në botën e zhvillimeve teknologjike përsa i përket edukimit dhe përsa i përket zhvillimit të startup-eve”.

Por Kryeministri flet dhe për një politikë të re financiare për mbështetjen e sportistëve edhe gjatë fazës stërvitore për kampionate të rëndësishme.

“Aty ka akoma një boshllëk, për t’ju dhënë mundësinë që të stërviten në kushte optimale bashkë me trajnerët e tyre për gjithë periudhat e nevojshme në ato parametra siç ishte rasti dhe siç është rasti i Luizës që kishte nevojë për stërvitje në mijëra metra mbi nivelin e detit dhe kështu me radhë”.

Të gjitha premtimet për mbështetjen e sportistëve, Rama i bëri në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të mirënjohjes për 7 sportistë të disiplinave të ndryshme që kanë marrë çmime në kampionate ndërkombëtare, një traditë e nisur me Luiza Gegën.

Nga Kryeministri, peshëngritësve Briken Çalja e Erkand Qerimaj dhe mundësin Zelimkhan Abakarov, ju dha Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike, ndërsa për Eklent Kaçin kampion në bilardo, skiatoren Lara Colturi, boksierin Alban Beqirin dhe Gentiana Beqa kampione ne bodybilding “Ylli i Mirënjohjes Publike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat