Kandidat për Bashkinë e Tiranës, kryetari i Partisë Komuniste tregon se si e mori firmën e Flamur Nokës

Shqipëria

Kandidat për Bashkinë e Tiranës, kryetari i Partisë Komuniste tregon se si e mori firmën e Flamur Nokës

Më: 1 prill 2023 Në ora: 17:09
Kandidat për Bashkinë e Tiranës, kryetari i Partisë Komuniste tregon se si e mori firmën e Flamur Nokës

Kandidimi i Marko Dajtit, si përfaqësues i Partisë Fronti i Majtë, për Bashkinë e Tiranës ka qenë i papritur. Në arenën politike dhe mediatike është komentuar me habi fakti se kandidatura e tij është mbështetur me firmë nga deputeti i PD, Flamur Noka.

Ky i fundit ka firmosur një dokument ku vetëdeklarohet si deputet i Partisë Fronti i Majtë që kandidon për bashkinë e kryeqytetit Dajtin, pasi firma e Nokës ishte e nevojshme për shkak se partia e kandidatit që ende nuk është regjistruar zyrtarisht në KQZ, nuk është parti parlamentare dhe duhet të mbështetet nga një deputet që ka mandat për më shumë se 6 muaj.

Nisur nga ky fakt ka pasur aludime se Dajti ka një “marrëveshje të fshehtë” me koalicionin “Bashkë Fitojnë” pjesë e të cilit është dhe Berisha në këto zgjedhje. Për të gjitha këto pikëpyetje të ngritura në media sociale.

Prononcimi i zotit Dajti:

Pyetje: Kandidimi juaj në zgjedhjet e 14 majit ishte një surprizë. Cilat janë arsyet që ju shtynë që t’i bashkoheni garës për bashkinë e Tiranës?

Dajti: Arsyet janë më se të ditura për të gjithë popullin shqiptar, kryesorja mënyra si po qeverisin rilindasit, fatkeqësisht nga krahu i majtë i imi, por që më shumë janë pushtues të së majtës sepse s’kanë asnjë lidhje me të majtën. Disa prej tyre vijnë nga G99, nga LGBT, agjentë të shërbimeve sekrete të huaja etj. S’i kanë dhënë asgjë Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Modeli i tyre i qeverisjes është vetëm me mashtrime dhe projektet 3D. Ka ardhur koha të ndryshojmë. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit. Ka ardhur koha t’i rikthejmë Shqipërisë njerëzit e saj; t’ua kthejmë qeverinë qytetarëve.

Pyetje: A e konsideroni këtë një sfidë të fortë duke pasur përballë kandidatë si Erion Veliaj dhe Belind Këlliçi? Si e shikoni kandidimin tuaj përballë tyre? Mendoni se mund të dilni fitimtar?

Dajti: Unë nuk është se kam hyrë për të fituar. Unë futem për të zgjuar popullin nga gjumi që t’i vënë gishtin kokës dhe të dinë kë të votojnë, të mos besojnë mashtrimet.

Pyetje: Kjo do të thotë se ju futeni në garë për të sfiduar Erion Veliajn?

Dajti: Unë futem në garë për të sfiduar Erion Veliajn dhe të gjithë kandidatët në garë. Unë futem në garë me të gjithë. Nuk jam me asnjërin. Është populli i Tiranës që do të vendosë se kë do të votojë.

Pyetje: Ne media është komentuar me habi fakti se deputeti i PD, Flamur Noka ka mbështetur me firmë kandidaturën tuaj per kryetar të bashkisë Tiranë? A keni një përgjigje për këtë? Çfarë ju lidhi?

Dajti: Për këtë do të përgjigjem edhe të hënën në një deklaratë për shtyp. Jam krenar që më mbështeti miku im Flamur Noka sepse kemi dhe një lidhje miqësore. Është i vetmi deputet që nuk është përmendur kurrë për korrupsion, për padrejtësi. Është i vetmi deputetet që kurrë nuk është përmendur për lidhje me krimin dhe për mashtrime. Për këtë jam krenar.

Pyetje: A ja propozuat ju Nokës qe të hidhte firmën për t’ju mbështetur apo ishte një propozim i bërë nga ana e tij?

Dajti: Ja kam kërkuar unë miqësisht Nokës, sepse siç e thashë kam një lidhje miqësore me të.

Pyetje: Pra ju i hidhni poshtë zërat për një marrëveshje të fshehte tuajën me grupin e Berishës, pra me koalicionin “Bashkë Fitojmë”, siç pretendohet, për të dëmtuar Erion Velajn?

Dajti: S’ka asnjë marrëveshje me koalicionin. Unë hyj në garë për të sfiduar të gjithë kandidatët dhe sidomos kandidatin e të majtës që nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste, që e konsideron Tiranën si një parcelë me fiq dhe hajde të vjedhim fiq.

Pyetje: Nëse zgjidheni kryetar bashkie cilat janë ndryshimet kryesore që do të ndërmerrni?

Dajti: Do e shpalos platformën time këtë të hënë. Por të jeni të sigurtë që nëse do ndodhë që populli do të më besojë mua dhe jo mashtruesve, meqenëse rilindasit këto 8 vite ligjet e shtetit dhe kushtetutën i kanë bërë letër higjenike unë kam vendosur që të qeveris me kanun. Kurrë nuk do t’i hyj në hak njeriu, kurrë s’do ti prish shtëpinë një njeriu, çdo qytetar i Tiranës do të marrë shërbimin që i takon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat