Rama në Dibër e Bulqizë: Votuat me mendje, jo me zemër. Humbja Meta-Berisha, shpejton ringritjen e opozitës

Shqipëria

Rama në Dibër e Bulqizë: Votuat me mendje, jo me zemër. Humbja Meta-Berisha, shpejton ringritjen e opozitës

Më: 22 maj 2023 Në ora: 18:32
Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur turin e falënderimeve për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 majit. Ai u ndal sot në Bulqizë dhe Dibër, ndërsa shprehi falënderime duke thënë se vota e qytetarëve për Partinë Socialiste është një barrë e madhe besimi, e cila duhet shpërblyer me punë dhe vepra të mira.

“Dua t’ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që jeni këtu dhe përveç jush dua t’i falënderoj të gjithë ata që nuk janë këtu, dhe që kanë dhënë votën e tyre për Festën dhe Rahmin. Një votë kuptimplotë. Kanë votuar me mendje për të vetmen zgjedhje që kishin më 14 maj për ti çuar punët e Dibrës vetëm përpara. Përveç të gjithë atyre që votuan, dua t’i falënderoj edhe atë tjetër që nuk e kapërcyen ylberin kur i thonë fjalës dhe ata që nuk dolën të votojnë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se për herë të parë harta elektorale e 14 majit është harta e një Shqipërie, e cila nuk është e ndarë. Ai u shpreh se PS-ja do punojë të ngulisë në mendjen e njerëzve, që në të ardhmen të  zgjedhin me mendje dhe jo me zemër.

“Do bëj çdo përpjekje, do kërkoj që të gjitha ata që janë me ne, që ajo harta elektorale, e cila për herë të parë është harta e një Shqipërie që nuk është e ndarë të mos jetë e tillë edhe për herë të fundit. Jo që gjithmonë që e gjithë Shqipëria të votojë PS, por ne duhet ta shtyjmë përpara këtë vend dhe këtë shoqëri që të votojë me mend dhe jo me tifozllik. Të votoj duke kërkuar llogari dhe përgjegjësi”, shtoi ai.

Rama tha se humbja e thellë e Berishës dhe Metës në zgjedhjet e 14 majit do të ndikojë në procesin e ripërtëritjes së opozitës.

“Kjo disfatë skandaloze, është disfatë e një grushti njerëzish, e dy njerëzve dhe e një rrethi të verbërish pas tyre do ta përshpejtojë pa diskutim të procesin e ripërtëritjes edhe të opozitës. Më keq nuk ka. Kjo është një përgjegjësi e madhe për ne, sepse na ka sfiduar duke na ngarkuar me barrë besimi si asnjëherë më parë. Natyrisht për të na dhënë mundësinë për të na provuar se ne e mbajmë këtë barrë”-u shpreh ai.

Ai theksoi se Partia Socialiste do t’i bëjë realitet të gjitha premtimet, por para kësaj, kërkoi bashkëpunim të ngushtë bashki-qytetar.

“Ne do t’i bëjmë të gjitha ata që kemi thënë, kjo nuk diskutohet, por duhet durim, na duhet të kemi të kemi durim, dhe duhet që dyert e bashkive të hapen në katër kanatet dhe duhet që njerëzit t’ju krijohet mundësia që ta shohin kryetarin në sy dhe të marrin përgjigje për problemet e tyre dhe vetëm kështu mund ta garantojmë këtë vend që të shkojë vetëm përpara”-u shpreh kryeministri Rama.

Më 14 maj, në Bulqizë dhe në Dibër u zgjodhën në krye të bashkive Festime Mjeshtri dhe Rrahim Spahiu

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat