Rritja e çmimit të energjisë për furrat, Shoqata e Prodhuesve të Bukës: Po nxit mërzitje dhe konflikt!

Shqipëria

Rritja e çmimit të energjisë për furrat, Shoqata e Prodhuesve të Bukës: Po nxit mërzitje dhe konflikt!

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 19:15
Foto ilustrim

Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë për furrat që nuk prodhojnë bukë masive.

Kryetari i Shoqatës Gëzim Peshkopia deklaroi sot për mediat se mosnjohja e ndarjes së furrave të bukës në 2 ambient me 2 sahate po nxit mërzitje dhe konflikt të prodhuesit. Peshkopia tha se prej vitit 2018 prodhuesit e bukës operojnë me 2 sahate, propozim i Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) dhe OSHEE-së i miratuar nga Entit Rregullator të energjisë (ERE).

Por tashmë prej gati 2 muaj mes prodhuesve të bukës dhe ERE, FSHU kanë nisur debatet ku nga institucionet shtetërore kërkohet që tarifa e subvencionuar prej 7,6 lekë të paguhet vetëm nga furrat që prodhojnë bukë masive. ERE dhe FSHU kërkojnë që furrat që në prodhimin e tyre kanë produkte të tjera të brumit të paguajnë tarifën prej 14 lekë për këh ose të dalin në tregun e liberalizuar. Çmimi i energjisë për bizneset e tjera në tregun e lirë është 18 lekë për këh.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave thekson se ERE ka ndryshuar kushtet e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme dhe pa dijeninë e tyre. Sipas tij kjo gjë nuk është i zbatueshëm, veçanërisht pas 4 vitesh procedurë të vendosjes së dy sahateve. Pasi kjo do të kërkonte jo vetëm objekte të ndara, por dy certifikata pronësie, dy licenca nga tatimet si dhe kushte të tjera plotësuese nga AKU-ja, për të dy ambientet.

Prodhuesit propozojnë që për furrat e bukës që prodhojnë e shesin bukë, të jenë në ambient fizik të ndarë (Pa certifikatë pronësie) dhe me sahat matës të veçantë, me tarifimin 7.6 lek/këh.

Për furrat që prodhojnë buke dhe prodhime brumi, të kenë tarifimin alternativ 9.5 lek/ këh (ose të studiohet tarifa e ndërmjetme me grup të përbashkët). Ndërsa prodhimi dhe shitja e pastiçerisë dhe brumërave ku nuk ka prodhim buke, të jetë me tarifimin 14 lek/këh.

Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave

U bë një kohë e gjatë që në marrëdhënien midis ERE-s, FSHU-S dhe OSHEE-s nga njëra anë dhe Prodhuesve të Bukës nga ana tjetër, ka pasur problematika lidhur me tarifimin e Energjisë Elektrike. Ndër vite për nevojat e tyre Prodhuesit e Bukës kane zgjeruar gamën e produkteve, përveç bukës, duke u shtrirë dhe ne sektorin e Pastiçerisë dhe Prodhimeve të Brumit në tërësi.

Që prej vitit 2017 e në vazhdim, për furrat ku prodhohet vetëm bukë, ne kemi kërkuar pranë ERE-s që tarifimi të jetë 7.6 lek për këh, ndërsa për furrat e bukës që prodhojnë dhe pastiçeri e brumëra të jetë një tarifim altermativ.

Shoqata që në vitin 2018 e në vijimësi ka propozuar tarifimin alternativ 8.5 lekë për këh, por dhe me lart mbi bazën e një studimi të përbashkët. ERE nuk e miratoi tarifën alternative të propozuar nga ne, por miratoi propozimin e FSHU-OSHEE-se për vendosjen e dy sahateve.

Shoqata që në fillim nuk ishte dakord për vendosjen e dy sahateve, njërin ku prodhohej buke dhe tjetri ku prodhoheshin produktet e tjera, si dhe në dyqanet e shitjes. Kjo kërkoi investim dhe kosto shumë të madhe nga ana jonë, si dhe krijoji mundësi abuzimi nga individë. Nga ne kjo mënyrë u kundërshtua pasi parashikonim probleme në zbatim, ashtu siç dhe ndodhi në të vërtetë, megjithatë nga viti 2018 deri në 2022 kjo formë u zbatua.

Në mars të vitit 2022, ERE, pa na venë në dijeni ndryshoi kushtet e vendosjes të dy sahateve, sipas propozimit të FSHU-së, ku kërkohej jo vetëm ndarja e ambienteve, por dhe shoqërimi me certifikatë pronësie të secilit prej tyre. Ne kërkuam informacion, se perse u ndryshuan kushtet dhe u kërkua certifikata e pronësisë, për dy ambiente brenda të njëjtit objekt?

Nga Kryetari i ERE-s, na u tha që nuk ka ndryshuar asnjë kusht i marrëveshjes që ishte bërë, por në fakt kushtet ishin ndryshuar. Ky vendimi marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa dijeninë tonë, nuk është i zbatueshëm, veçanërisht pas 4 vitesh procedurë të vendosjes së dy sahateve. Pasi kjo do të kërkonte jo vetëm objekte të ndara, por dy certifikata pronësie, dy licenca nga tatimet si dhe kushte të tjera plotësuese nga AKU-ja, për të dy ambientet.

Nga përvoja e deritanishme me gjithë përpjekjet tona, përsëri ne kuptojmë që ka një ngërç dhe nxitje artificiale për të krijuar precedent mërzitjeje dhe konflikti.

Ne si Shoqate i përmbahemi propozimit që kemi bërë:

Furrat e bukës që prodhojnë e shesin bukë, të jenë në ambient fizik të ndarë (Pa certifikatë pronësie) dhe me sahat matës të veçante, me tarifimin 7.6 lek/këh.

Furrat që prodhojnë buke dhe prodhime brumi, të kenë tarifimin alternativ 9.5 lek/ këh (ose të studiohet me grup të përbashkët).

Prodhimi dhe shitja e pastiçerisë dhe brumërave ku nuk ka prodhim buke, të jetë me tarifimin 14 lek/këh.

Në gjendjen e krijuar, Ne i kërkojmë qeverisë të marri vetë në dorë situatën dhe kemi besimin se kjo do të zgjidhet.

Për ketë i kemi kërkuar takim Zv/Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ku dhe i kërkojmë që ashtu siç kanë ndihmuar sektorët e tjerë të ekonomisë, të ketë një vëmendje më të madhe edhe ndaj Prodhuesve te Bukës, këtij sektori kaq jetik, të prodhimit Artizanal, me vështirësitë e shumta që solli pandemia dhe rritja e çmimeve e përbërësve të bukës dhe veçanërisht me mungesën e theksuar te punonjësve dhe specialisteve të bukës, pastiçerisë dhe brumërave./Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat