Sondazhi, 44% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mendojnë të jetojnë jashtë vendit! Ja 3 tendencat kryesore të opinionit publik

Shqipëria

Sondazhi, 44% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mendojnë të jetojnë jashtë vendit! Ja 3 tendencat kryesore të opinionit publik

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 17:21
Foto ilustrim

Sarajevë – Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik, sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.

“Barometri Ballkanik zbulon 3 tendencat kryesore të opinionit publik në Ballkanin Perëndimor. Së pari, lajmi i mirë, 76% e njerëzve besojnë se bashkëpunimi rajonal është i mirë për zhvillimin e ekonomive të tyre. Për më tepër, 69% janë dakord se ajo që i bashkon qytetarët e Ballkanit Perëndimor është më e rëndësishme se ajo që i ndan ata. Lajmi i dytë, mbështetja për integrimin në BE: rezulton 59% ose 3% më pak se në 2021. Dhe i treti është shqetësimi mbi shpopullimin, pasi 44% mendojnë të jetojnë jashtë vendit, 5% më shumë se në 2022. Është gjithashtu jashtëzakonisht shqetësuese se 71% e të rinjve po mendojnë të largohen nga vendi i tyre”, tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.

Balkan Barometri 2023, edicioni i Opinionit Publik rezultatet kryesore:

➢ 1 në 5 qytetarë e lidh Ballkanin me shpresë ose bashkëpunim.
➢ Për 15% të qytetarëve, Ballkani do të thotë besim, por për 1 në 10, do të thotë frikë.
➢ 51% janë të pakënaqur me situatën ekonomike

➢ 27% thonë se korrupsioni është problemi më i madh
➢ 69% thonë se ligji nuk zbatohet për të gjithë në mënyrë të barabartë – 7% më shumë se në 2022
➢ 45% ndihen të kërcënuar nga mbajtja dhe keqpërdorimi i paligjshëm i armëve
➢ 71% thonë se lufta në Ukrainë ndikoi ndjeshëm në fuqinë e tyre blerëse
➢ 75% nuk ​​u besojnë partive politike
➢ 65% shprehën një shqetësim të shtuar në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme

“Barometri Ballkanik nxjerr në pah historitë njerëzore, shqetësimet e tyre për punën, përpjekjet për më shumë mirëqenie dhe sesi gjithçka që po ndodh rreth nesh po ndikon në rajonin tonë, i cili është brishtë, është lehtësisht i cenueshëm. Barometri na tregon se sa jemi ne të gatshëm për ta bërë shtëpinë tonë një vend më të mirë, ku mund të jetohet më mirë e ku mund të ndihemi të sigurt dhe me një të ardhme më të mirë për veten e për fëmijët tanë.
Njerëzit shohin dhe ndjejnë tek bashkëpunimi rajonal dhe gjërat që na bashkojnë shpresën dhe mundësinë për të përmirësuar veten”, përfundoi Bregu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat