Eksportet në krizë/ INSTAT: Në nëntor, Shqipëria shiti dhe bleu më pak

Shqipëria

Eksportet në krizë/ INSTAT: Në nëntor, Shqipëria shiti dhe bleu më pak

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 23:06
Foto ilustrim

Shqipëria po shet më pak dhe po blen më pak. Të dhënat e Institutit të Statistikave treguan se edhe përgjatë muajit nëntor të këtij viti, si eksportet, ashtu edhe importet kanë vijuar tendencën rënëse.

Përgjatë muajit që lamë pas, eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u ulur me -21,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -9,9 %, në krahasim me muajin tetor. Ndërkohë, edhe importet e mallrave arritën vlerën 72 mld lekë, duke u ulur me -7,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -8,2 %, në krahasim me muajin tetor.

Të dhënat e detajuara të Institutit të Statistikave treguan se në nëntor kanë shënuar rënie eksportesh të gjitha grupet e mallrave, përveç produkteve kimike dhe plastike. Por rënia më e fortë është regjistruar për materialet e ndërtimit me -26,6% dhe prodhimet e drurit 21%.

Kriza e eksporteve ka vijuar përgjatë gjithë nëntëmujorit janar-nëntor të këtij viti. Eksportet sipas INSTAT janë ulur me -9,8 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,0 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,6 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,0 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,01 pikë përqindje.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë janë: Italia (16,7 %), Kosova (17,7 %), Greqi (3,0 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritje më të madhe, është: Zvicra (8 herë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat