Parandalohet ngjarja kriminale, arrestohet 45-vjeçari me tre mina me telekomandë në Lezhë

Shqipëria

Parandalohet ngjarja kriminale, arrestohet 45-vjeçari me tre mina me telekomandë në Lezhë

Më: 26 janar 2024 Në ora: 11:26
Arrestohet 45-vjeçari me tre mina me telekomandë në Lezhë

Një 45-vjeçar është arrestuar nga policia e Lezhës pasi u zbulua se montonte mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për t’ua shitur grupeve kriminale.

Policia sekuestroi 3 mina me telekomandë për shpërthim në distancë, të cilat 45-vjeçari i kishte fshehur në trup, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa.

Prokuroria vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se 3 ditë më parë, Policia e Mirditës sekuestroi 2 mina të tjera me telekomandë dhe 1 kallashnikov, si dhe vuri në pranga poseduesin e tyre.

“Shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas prodhonte mina me telekomandë, për t’ua shitur grupeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “New Start”.

Në qytetin e Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar I. Gj., i cili mund të transportonte minat me telekomandë dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 3 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë, dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale, për kryerjen e krimeve kundër personit.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi I. Gj., 45 vjeç, banues në Lezhë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 minat (të montuara me celularë) dhe sasia e cannabisit”, thuhet në njoftimin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat