Ngjarja e rëndë që u shënua në Kamëz pak ditë më parë, ku një 27-vjeçare e identifikuar si Ambra Abedini pas publikimit të një fotoje në Tik Tok vijon të sjellë reagime në opinionin publik.
Mister ngelet mënyra se si e humbi jetën vajza e re, nëse ajo u vetëhodh nga kati i katërt i banesës apo e ka hedhur dikush tjetër?
Tezja e viktimës, ngre dyshime të forta se mbesa e saj është shtyrë nga 39-vjeçari Altin Çoku, i arrestuar aktualisht nga policia, si përgjegjës për publikimin e fotos.
“Është një legen që ma mori gocën në qafë, i ka bërë foto. Unë jam tezja, unë e kam rritur atë gocë, ajo me ne është rritur. Nuk janë të vërteta lajmet që kanë dhënë deri tani. E vërteta është që gocën time kanë vrarë. Kanë ardhur këtu e kanë shtyrë. Ajo nuk do e kishte lënë kurrë vajzën 2-vjeçe. Atë e kanë vrarë, ai personi që është arrestuar”, tha tezja e 27-vjeçares.
Por pista kryesore ku policia po e heton ngjarjen e rëndë është ajo e vetëvrasjes. Edhe 39-vjeçari Altin Çoku është arrestuar me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.
Por kjo pistë, përveç tezes së Ambrës, është rrëzuar edhe nga daja i saj. Ai tha për mediat se mbesa e tij do të kthehej në Kosovë tek bashkëshorti dhe vajza e saj dhe ndoshta largimi i 27-vjeçares sipas dajës, ishte shkaku pse ai e vrau.
Mes autorit të arrestuar dhe viktimës kishte pasur vetëm një takim në një hotel, aty ku edhe kishin bërë një foto bashkë. Më pas, ajo foto u përhap në rrjetin social Tik Tok, por vetë 39-vjeçari pak ditë më parë në këtë platformë tha se foton e kishte shpërndarë një shoku i tij dhe vajza kishte tentuar dy herë ti jepte fund jetës. Çoku shkonte më tej, ku thoshte se ai do i shpëtonte burgut, pasi ka një vërtetim që tregon për shëndetin e tij mendor jo të mirë.
Tashmë pritet të shihet se në çfarë përfundimesh do të dalë policia për këtë rast, që ka tronditur jo pak opinionin publik.