240 punonjës policie do të jenë në gatishmëri në shkollat e vendit, në kuadër të sigurisë së nxënësve. Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të Premte se kjo punë e rëndësishme e këtyre oficerëve do të shpërblehet në vijim me rritje page, pasi ata do mbajnë një përgjegjësi të madhe.
“Jemi fokusuar edhe te fuqizimi i autoritetit të mësuesit dhe motivimi i vazhdueshëm i trupës mësimore. Këtë e kemi bërë me të gjitha mënyrat e nevojshme, por mbi të gjitha duke vendosur si objektiv strategjik, rritjen e vazhdueshme të pagave. Sot kemi arritur me ndërhyrjen e fundit në Qershor, që pagën mesatare ta kemi 950 euro. Synimi ynë është që Shqipëria 2030 të anëtarësohet në BE dhe të jetë kampione në rajon, duke pasur këtu shërbëtorë publikë sa më të devotshëm, endur ta patjetër janë 3 figura kryesore mbi të cilat qëndron gjithë shoqëria, mësuesi, mjeku dhe polici. Për një kohë të gjatë kemi mbetur shumë mbrapa në dije. Është dija që i kthen pasuritë natyrore në pasuri të përbashkët, që i jep mundësinë të transformohet më shpejt. Një dekadë më parë mësuesit hidheshin si lecka lart e poshtë dhe vënia e tyre ishte klienteliste. Sot nuk krahasohet situata.
Por këto kanë nevojë për kornizën e sigurisë, sot Shqipëria nëse jemi në kushtet që vjet kemi pritur 10 mln vizitorë dhe sivjet kemi arritur në 11 mln, siguria është elementi kryesor. Përmendet natyra, ushqimi, mikpritja dhe siguria. Duhet ta fuqizojmë akoma më shumë këtë autoritet të ri, kemi bërë një rritje page, që sot është 800 euro, por nuk do të ndalemi këtu. Flasim për njerëz të kualifikuar për temën e sigurisë, që janë aty si një urë ku kalojnë të gjithë dhe që duhet të garantojë bashkëveprimin me të gjithë. Janë në vend të prindërve që vëzhgojnë nga larg fëmijët, që kujdesen për shqetësimet e tyre, që ua afrohen dhe i këshillojnë, i ndihmojnë të marrin një vendim të drejtë kur ka një keqkuptim që mund të kthehet në konfikt. Që mbajnë marrëdhënie të ngushta me drejtuesit e shkollë, që janë syri e veshi i prindërve në raport me fëmijët. Kanë mision të njohin me emër çdo fëmijë, të dijnë në çfarë situate është fëmija. Patjetër është punë e ndërlikuar që kërkon ndërveprim të afërt me psikologun.”
Edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi një nga projektet më madhorë të “Shqipërisë 2030”.