Në listën e mbyllur të PS, ministrja Ibrahimaj: Synim maksimizimi i votave, ja cilin kandidat mbështes

Shqipëria

Në listën e mbyllur të PS, ministrja Ibrahimaj: Synim maksimizimi i votave, ja cilin kandidat mbështes

Më: 11 prill 2025 Në ora: 15:10
Delina Ibrahimaj

Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e ftuar në studion e News24, ka komentuar sot nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar angazhimin e kandidatëve të Partisë Socialiste për maksimizimin e votave.

Ibrahimaj theksoi se puna do të vijojë njësoj, pavarësisht se lista është e hapur apo e mbyllur. “Të gjithë kandidatët po punojnë për të rritur mbështetjen për PS, ndërsa ata në listën e hapur përpiqen të fitojnë vota edhe në emrin personal,” u shpreh ajo.

Ajo sqaroi se ka një garë brenda strukturave të PS për të siguruar vendin në Parlament. Ibrahimaj, e cila është angazhuar në njësinë 5, tha se do të mbështesë Erion Braçen, i cili gjithashtu garon në listën e hapur.

Duke folur për rolin e kolegëve të saj, ajo e vlerësoi Erion Veliajn si një aktor të rëndësishëm brenda PS, i cili ka kontribuar ndjeshëm në punën e partisë. “Veliaj është një koleg dhe person shumë i rëndësishëm për PS, duke bërë punë të mira për hir të së vërtetës,” shtoi ajo.

Ministrja Ibrahimaj e përfundoi deklaratën e saj duke theksuar se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që garanton anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke theksuar se ky angazhim nuk vjen nga preferencat e BE-së, por nga vendosmëria dhe ekipi i PS për të realizuar detyrat e caktuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat