LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Shqipëria

LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Më: 11 maj 2025 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 18:20 më 13.05.2025
Kuti të votimit

Numërohen 5 117 qendra votimi, PS kryeson me 52.13 % të votave

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit është drejt fundit, teksa në të gjithë vendin, janë numëruar votat në 5 117 qendra votimi nga 5 225 në total.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së nga numërimi i votave Partia Socialiste kryeson me 715 078 vota ose 52.13 %;

ndërsa Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditet e dyta me 471 526 vota ose 34.37 %.

Forca e tretë politike sipas të dhënave deri tani renditet Koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” që ka marrë 48 223 ose 3.52 %.

Partia Socialdemokrate ka marrë 46 708 vota ose 3,40%.

Partia “Mundësia” ka marrë 41 420 vota ose 3.02 %.

“Lëvizja Bashkë” ka marrë 19 338 vota ose 1.41 %

Partia Koalicioni Euroatlantik ka marrë 18 506 vota ose 1.35 %.

Përfundon numërimi për subjektet politike në Durrës, si ndahen votat

Ka përfunduar numërimi i votave për subjektet politike në të gjithë qarkun e Durrësit.

Nga të dhënat e siguruara nga A2 CNN, bëhet me dije se Partia Socialiste kryeson me rreth 20 mijë vota më shumë kundrejt Partisë Demokratike-Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

Pra nga të dhënat rezulton se PS ka arritur të sigurojë 52.5 % të votave, ndërsa PD 38.8 % të votave. Pjesa tjetër e votave ndahet mes partive të vogla.

Ndërkohë në qarkun Durrës vijon numërimi i votave për kandidatët, për të parë se cilët do të jenë emrat e deputetëve që do të hyjnë në Parlament nga të dy palët.

Vijon numërimi i votave/ Ja si paraqitet rezultati për Qarkun Tiranë deri në orën 16:30

Vijon procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sa i përket Qarkut të Tiranës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë të dhënat nga rezultati i deritanishëm i këtij procesi.

Siç vihet re edhe nga të dhënat e gjeneruara nga KQZ, deri më tani janë numëruar 1185 Qendra Votimi nga 1282 në total.

Koalicioni Partia Demokratike- ASHM ka marrë 139956 vota ose 35.23%

Lëvizja Bashkë ka marrë 10664 vota ose 2.68%                                                                     

Lëvizja Atdheu ka marrë 698 vota ose 0.18%

Partia Koalicioni Euroatlantik ka marrë 7480 vota ose 1.88%

Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 189683 vota ose 47.74%

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 12233 vota ose 3.07 %

Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare ka marrë 980 vota ose 0.25%

Partia Aleanca Demokracia e Re ka marrë 476 vota ose 0.12%

Koalicioni Djathtas për Zhvillim ka marrë 1729 vota ose 0.44%

Partia Mundësia ka marrë 19384 vota ose 4.99%

Partia Socialdemokrate ka marrë 13596 vota ose 3.42 %

Numërohen 97% e kutive/ PS e para me 82 mandate, PD 52! Socialistët thellojnë avantazhin me mbi 230 mijë vota

Deri në orën 16:00 numëruesit në të gjithë vendin kanë numëruar 5065 kuti votimi nga 5225 që janë në të gjithë Shqipërinë.

Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votat në çdo qark të përkthyera në mandate, japin një tablo ku Partia Socialiste kryeson thellë me numër mandatesh.

Kështu socialistët kanë deri tani 82 mandate, ku rezultatin më të mirë e kanë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan.

Koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike është rritur në 52 mandate, pasi ia rimori Partisë Mundësia të Agron Shehajt.

Sa i përket partive të reja, PSD-ja e Tom Doshit është forcë e tretë politike në Kuvend me 3 mandate, koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka 1 mandat, ndërkohë Lëvizja Bashkë 1 mandat.

Deri tani PS prin me mbi 236 mijë vota para.

PS rritet në Kamëz, PD zbret me 17%, Spiropali: Qytetarët folën qartë dhe pastër

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas rezultatit zgjedhor në Kamëz, duke shprehur falënderime për mbështetjen që qytetarët i dhanë Partisë Socialiste në këtë bashki. Spiropali theksoi se vota e Kamzës ishte e qartë, e fortë dhe e pastër, duke e cilësuar si “votë zemre”.

“Vota e Kamzës foli qartë, fort dhe pastër,” shkruan Spiropali, duke nënvizuar se rezultati në këtë zonë pasqyron mbështetjen për transformimet e ndjeshme që janë realizuar në vitet e fundit.

“Askund më shumë se në Kamëz, kjo diferencë shigjetash elektorale nuk qëndron kaq kontrastuese, si dëshmi se vota është fryt i punës e i transformimeve të jashtëzakonshme, shërbimeve për qytetarët, projekteve dhe investimeve që e kanë ndryshuar rrënjësisht këtë vend,” vijoi ajo.

Spiropali falënderoi strukturat e PS-së, aktivistët, simpatizantët dhe qytetarët që dhanë mbështetje, pavarësisht përkatësisë partiake apo prejardhjes.

“Votat e Kamzës janë vota zemre. E gjitha na frymëzon e na detyron për punë edhe më të mira për Kamzën! Faleminderit!” përfundoi ministrja.

“Vota e Kamzës foli qartë, fort dhe pastër. Askund më shumë se në Kamëz, kjo diferencë shigjetash elektorale nuk qëndron kaq kontrastuese, si dëshmi se vota është fryt i punës e i transformimeve të jashtëzakonshme, shërbimeve për qytetarët, projekteve dhe investimeve që e kanë ndryshuar rrënjësisht këtë vend që deri para pak vitesh konsiderohej moçal infrastrukturor e elektoral.

Mirënjohje për punën e palodhur të strukturave të Partisë Socialiste, aktivistëve, simpatizantëve, qytetarëve që na kanë mbështetur pa dallim partiak, a dallim prejardhjeje. Votat e Kamzës janë vota zemre.
E gjitha na frymëzon e na detyron për punë edhe më të mira për Kamzën! Faleminderit!”
, u shpreh ajo.

Vota e Greqisë/ DHL i përgjigjet KQZ: Çdo dërgesë ka provë dorëzimi

Kompania postare DHL i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin e dorëzimit të votës në Greqi. Sipas kompanisë, çdo dërgesë ka provë dorëzimi.

“Nga të gjitha kërkesat për verifikim, janë vetëm 5 raste në total në të gjitha vendet përfshirë Greqinë, që janë në ndjekje për verifikim. Çdo dërgesë e dorëzuar ka provë dorëzimi. 4 779 dërgesa janë marrë nga korrierët në shtëpi në kthim. 18 489 dërgesa janë dorëzuar nga votuesit në pikat e shërbimit DHL dhe 25 90 dërgesa janë dorëzuar në pikat e partnerëve lokalë të DHL.”,  thekson DHL.

Shkresa e DHL-së, e cila është protokolluar nga KQZ mban datën 09 maj. Kompania në fjalë thekson se numri i zarfeve të dorëzuara në shtetin e Greqisë është 61 106, ndërsa të tërhequra janë 52 944.

Më tej, në kthimin e përgjigjes së DHL-së thuhet shprehimisht sa vijon:

Ne sigurojmë se dërgesat janë procesuar në përputhje me procedurat standarde të cilat përfshijnë Direct Signature (firmosje të personit marrës) në dorëzim. Partneret lokalë janë pjesë e rrjetit me të cilët DHL Greqi bashkëpunon (ExclusiveTrusted Partners) të cilët ndjekin dhe plotësonin tërësisht procedurat e përcaktuara nga DHL, përfshirë procesin e dërgesave të zgjedhjeve në Shqipëri”, theksohet në letër.

Kompania me këtë reagim ka hedhur poshtë qëndrimin e KQZ për votat e Diasporës nga Greqia, të cilat deri tani janë vendosur të lihen veçmas me vendim të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi.

Votat preferenciale në Tiranë, kryesojnë Gonxhja, Xhafaj, Alimehmeti dhe Tabaku. Jashtë Kuvendit Majko, Meta, Idrizi dhe Qori

Në Tiranë ka nisur numërimi i votave preferenciale të kandidatëve ku deri tani nga raportimet zyrtare të KQZ-së janë numëruar 87 nga 1282 kuti votimi.

PS-ja ka marrë 19 mandate, çka do të thotë se do të fusë edhe shtatë deputetë nga lista e hapur, përveç 12 deputetëve të listës së mbyllur.

Në listën e hapur deri tani më shumë vota ka marrë Blendi Gonxhja, i ndjekur nga Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe. Një vend në shtatëshen e parë është edhe për ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, Orlando Rakipin dhe Anila Denajn.

Ajo që bie në sy është fakti që jashtë listës fituese deri tani janë emra si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Etilda Gjonaj.

Partia Demokratike ia rimori një mandat Mundësisë. Më i votuar deri mbetet Ilir Alimehmeti, ndërkohë që rifutet në Parlament Jorida Tabaku. Jashtë deri më tani ngelet Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Myslym Murrizi dhe Asllan Dogjani.

Sa i përket partive të vogla, Mundësia do të fusë në Kuvend të parin e listës së mbyllur, Agron Shehajn, ndërsa del jashtë listës Erald Kapri, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet do të çojë në Kuvend Adriatik Lapajn, i cili ka marrë më shumë vota se Endri Shabani.

Jashtë Kuvendit mbetet edhe Arlind Qori, pasi i pari i Lëvizjes Bashkë është Redi Muçi, ndërsa PSD-ja do të çojë në Kuvend të parën e listës së mbyllur Albana Pëllumbi.

PS 7 mandate nga lista e hapur

Blendi Gonxhja     5112

Fatmir Xhafaj      1906

Erion Braçe          933

Ornaldo Rakipi   927

Ervin Hoxha       660

Anila Denaj         381

Xhemal Qefalia  351

PD 2 mandate nga lista e hapur

Ilir Alimehmeti           1127

Jorida Tabaku            1009

Mundësia 1 mandat nga lista e mbyllur

Agron Shehaj

PSD 1 mandat nga lista e mbyllur

Albana Pëllumbi

Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat nga lista e hapur

Adriatik Lapaj

Lëvizja Bashkë 1 mandat nga lista e mbyllur

Redi Muçi

Dalin rezultatet e para të votave preferenciale në Mirditë, kryeson ish-gjyqtari

Në Bashkinë e Mirditës, nga ku dhe paraditen e sotme nisi procesi i numërimit për votat e kandidatëve, kanë dalë rezultatet e para.

Gazetari Martin Marku raporton se këto rezultate janë përfundimi i numërimit të 2 nga 46 qendra votimi në total. Vihet re se ish-gjyqtari Gjin Gjoni kryeson deri tani me 107 vota.

Më poshtë gjeni listën e kandidatëve dhe votat e numëruar deri më tani:

1. Gjin Gjoni 107 vota

2. Aleksandër Lala 96 vota

3. Kastriot Piroli 12 vota

4. Edison Doçi 7 vota

5. Viktor Tushaj 7 vota

6. Lindita Metaliaj 4 vota

Kujtojmë se qarku i Lezhës ka votuar në favor të Partisë Demokratike, duke e kthyer hartën e tyre në ngjyrë blu për këto zgjedhje parlamentare. PD ka fituar 44.77% të votave, ndërsa PS 42.51%. Demokratët kanë fituar me një ndryshim prej 1899 vota më shumë se PS.

Mbyllet zyrtarisht numërimi i votave në qarkun Elbasan! PS fiton 10 mandate, PD 4

Procesi i numërimit të votave në qarkun e Elbasanit ka përfunduar zyrtarisht. Sipas raportimit të gazetarit Fatmir Popja për News24, Partia Socialiste ka arritur një fitore të thellë duke siguruar 60.5% të votave, që përkthehet në 10 mandate.

Partia Demokratike ka marrë 29.3% të votave, duke siguruar 4 mandate.

Pavarësisht se në fillim u raportua se tre kuti votimi kishin mbetur pa u numëruar, burime zyrtare konfirmojnë se ato nuk do të hapen për shkak të parregullsive në dokumentacion dhe mungesës së vulave. Ndërkohë, Nisma “Shqipëria Bëhet” është renditur e treta në rezultat, por pa arritur të fitojë ndonjë mandat.

Fatmir Popja: Në qarkun e Elbasanit, zyrtarisht ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Më herët është thënë se tre kuti kanë mbetur pa numëruar, por sipas një burimi zyrtar, këto kuti nuk do numërohen, pasi është konstatuar se ka pasur parregullsi në dokumentacion dhe mungesë vulash. Rezultati është mjaft i thellë, teksa PS është shumë përpara. PS ka marrë 60.5 përqind të votave ose 10 mandate dhe PD ka marrë 29.3 përqind ose 4 mandate. Nisma Shqipëria bëhet ka dalë parti e tretë, por se nuk ka fituar mandat.

Përfundon numërimi në Shkodër/ PD kryeson me 5 mandate, PS merr 4, PSD 2

Në orët e para të mëngjesit është mbyllur procesi i numërimit të votave në të gjithë qarkun e Shkodrës.

Partia Demokratike kryeson me 36904 vota, PS 34721 dhe PSD 15784.

Ky është rezultati i 403 nga 405 qv e Qarkut pasi dy kuti të tjera, të fshatit Ktosh, në Malësi të Madhe, kishin probleme dhe janë dërguar për t’u numëruar në KQZ.

Në 4 KZAZ-të e Shkodrës, është vendosur për të nisur numërimi për votat e kandidateve, gjatë pasdites.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat