Helmimi i fëmijës në Gramsh, Autoritetet shëndetësore: Analizat pritet të dalin…

Shqipëria

Helmimi i fëmijës në Gramsh, Autoritetet shëndetësore: Analizat pritet të dalin…

Më: 24 maj 2025 Në ora: 17:43
Foto ilustrim

Lidhur me rastin e ndodhur në Gramsh, ku një fëmijë është paraqitur me shenja helmimi në spitalin e qytetit, dhe dyshohet se ushqimi ka pasur prani të salmonelës, ka reaguar Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Në një postim në facebook, shpjegohet se rasti është vënë menjëherë nën hetim. Për rastin e fëmijës së paraqitur në spital, thuhet në njoftim se shqetësimi i tij është referuar për analiza laboratorike, ndërsa për 76 mostra të tjera të marra nga fëmijët dhe punonjësit, pritet në vijim të dalin rezultatet e analizave.

“Në vijim të raportimeve në media mbi një situatë të ndodhur në një institucion parashkollor në qytetin e Gramshit, sqarojmë se Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor është vënë menjëherë në ndjekje të rastit.

1 fëmijë është paraqitur me shqetësime të lehta gastrointestinale dhe është referuar për analiza laboratorike nga mjekja pediatre përkatëse.

Në kuadër të hetimit epidemiologjik janë marrë gjithsej 76 mostra nga fëmijët dhe punonjësit, dhe janë në proces analizimi.

Rezultatet e analizave nuk kanë dale ende përfundimtare dhe priten të jenë të disponueshme ditën e nesërme, më 25 maj 2025.

NJVKSH Gramsh ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) dhe po bashkëpunojnë ngushtësisht me strukturat vendore për të garantuar një vlerësim të plotë dhe të kujdesshëm të situatës.

Theksojmë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në kohë dhe me profesionalizëm, dhe nuk ka vend për shqetësim të shtuar në këtë fazë.

Çdo informacion i mëtejshëm do të bëhet publik në mënyrë transparente, sapo të përfundojnë analizat di he verifikimet përkatëse”, thuhet në njoftimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat