Sezoni turistik, policia e Vlorës plan masash për ndotjen akustike

Shqipëria

Sezoni turistik, policia e Vlorës plan masash për ndotjen akustike

Më: 12 qershor 2025 Në ora: 17:10
Ilustrim

Policia e Vlorës po vijon zbatimin e planit të posaçëm operacional për parandalimin e ndotjes akustike, nisur edhe nga ankesat e qytetarëve për muzikën e lartë në lokale pas orarit të lejuar.

Sipas policisë objektivi i këtij plani është garantimi i një sezoni turistik të qetë dhe të sigurt, si dhe respektimi i të drejtave të qytetarëve.

“Në kuadër të këtij plani, pasditen e djeshme, Zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë, i shoqëruar nga Shefi i Komisariatit të Policisë Vlorë, Shefi i Seksionit të Rendit dhe oficerë të zonës, zhvilluan takime me pronarët dhe administratorët e lokaleve në zonën e Lungomares dhe përreth saj”, njoftoi policia e Vlorës.

Qëllimi i këtij komunikimi të drejtpërdrejtë sipas policisë ishte informimi dhe ndërgjegjësimi mbi kuadrin ligjor që përcakton kufijtë e lejuar të zhurmës dhe oraret për përdorimin e muzikës.

Pronarët dhe administratorët u njohën me parashikimet ligjore, sipas të cilave:

Në mjediset e hapura, në zona apo qendra të banuara dhe në zonat turistike, muzika lejohet nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Në rast të shkeljeve, policia njoftoi se parashikohen masat ndëshkimore si më poshtë:

Vendosja e masës administrative nga 200 000 deri në 400 000 lekë për tejkalimin e nivelit të lejuar të zhurmës (LAeq (dB(A)) 85 – 110 LAMAX Fast (dB));
Mbyllja e muzikës;
Mbyllja e aktivitetit dhe nisja e procedimeve penale.
Paralelisht me fushatën informuese, vijon monitorimi aktiv në terren. Shtetasit përgjegjës për këtë paligjshmëri do të ndëshkohen administrativisht dhe/ose penalisht, në përputhje me ligjin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat