“Nuk vlen asgjë”, Manjani: Të ndalet rinumërimi i votave, humbje kohe

Shqipëria

“Nuk vlen asgjë”, Manjani: Të ndalet rinumërimi i votave, humbje kohe

Më: 12 qershor 2025 Në ora: 23:55
Ylli Manjani

Duke folur në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, juristi Ylli Manjani u shpreh kundër rinumërimit të votave, duke theksuar se kjo situatë do t’i shkojë në favor kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se, përkundër bindjes së opozitës se rinumërimi është një hap pozitiv, në realitet kjo do t’i kthehet atyre si një bumerang.

Manjani e cilësoi rinumërimin si një humbje kohe pa asnjë vlerë reale, pasi sipas tij, nuk do të ndryshojë asgjë në rezultatin përfundimtar.

Ai vijoi duke theksuar se hapja e kutive dhe procesi i rinumërimit janë të kota dhe duhet ndërprerë sa më parë për t’u kthyer në normalitet.

“Hapja e kutive është e panevojshme; ky proces rinumërimi duhet të ndërpritet sa më shpejt dhe të kthehemi në normalitet. Nuk ka asnjë çështje serioze paszgjedhore. Duke qenë se të dy palët kërkojnë këtë rinumërim dhe proces riverifikimi, dhe për shkak se PD është në një narrative të konfuze, sigurisht që kjo sjell kosto, pasi duket si nisma e atij që kërkon diçka, por nuk e gjen, ndërsa për Ramën këto situata janë të favorshme.

Në lidhje me votat e diasporës, Manjani tha se nuk ka gabim njerëzor aty, pasi sipas tij, ky sistem ishte i dizenjuar që në ligj për të qenë një “maskaradë zgjedhore”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat