Elisa Spiropali vizitë zyrtare në Sofje, takohet me presidentin e vendit!

Shqipëria

Elisa Spiropali vizitë zyrtare në Sofje, takohet me presidentin e vendit!

Më: 10 korrik 2025 Në ora: 19:02
Foto nga takimi

Në vijim të vizitës zyrtare në Sofje, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u prit nga Presidenti Rumen Radev.

Në takim ishte e pranishme edhe Zëvendëspresidentja Iliana Iotova.

“Shqipëria i është mirënjohëse Bullgarisë për mbështetjen e integrimeve euro-atlantike, anëtarësimit e partneritetit në NATO dhe rrugëtimin drejt familjes europiane, si një proces i mbështetur në meritën, anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade, për të cilën gjatë kësaj vizite konstatova mbështetjen e Qeverisë dhe Parlamentit të Bullgarisë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve lehtësohen, përveçse nga lidhjet historike e tradicionale, edhe nga bullgarët me origjinë shqiptare që jetojnë në Madrica, në provincën e Ivaylovgrad, dhe pakica bullgare në Shqipëri, komunitete që janë asete të çmuar dhe ura miqësie.

Vlerësojmë politikat mbështetëse e zhvillimore për Diasporën Shqiptare në Bullgari, për të promovuar jetesën në zonat ku jeton, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.

Qeveria shqiptare është e angazhuar për respektimin e të drejtave të pakicës bullgare në Shqipëri, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare përkatëse. Si aleatë dhe partnerë në NATO, Shqipëria dhe Bullgaria ndajnë të njëjtin vizion mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe po forcojmë kapacitetet mbrojtëse për përballimin e tyre, bazuar në interesat kombëtare dhe parimet e integrimit euroatlantik. Shqipëria është një kontribuese aktive dhe faktor i rëndësishëm për paqen në rajon dhe udhëhiqet nga parimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.

Marrëveshja Trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, e nënshkruar më 18 mars 2025 në Tiranë, tregon angazhimin për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, bashkëpunimin e shtuar kundër kërcënimeve hibride si edhe aspiratat euro-atlantike të Kosovës. Kjo nismë është në përputhje me Konceptin Strategjik të NATO-s dhe Busullën Strategjike të BE-së dhe mirëpret çdo vend të rajonit për t’iu bashkuar.”, u shpreh znj. Spiropali.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat