Zjarri në Borsh del jashtë kontrollit! Banorë e turistë në panik, kërkohet ndërhyrje urgjente

Shqipëria

Zjarri në Borsh del jashtë kontrollit! Banorë e turistë në panik, kërkohet ndërhyrje urgjente

Më: 27 korrik 2025 Në ora: 09:52
Foto ilustrim

Zona turistike e Borshit po përballet me një situatë tejet problematike për shkak të një zjarri masiv që ka dalë jashtë kontrollit. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar panik tek banorët dhe turistët, sidomos gjatë orëve të natës, kur zjarri iu afrua rrezikshëm aksit nacional Vlorë–Sarandë.

Ndërhyrja po kryhet nga toka dhe nga ajri, por terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e flakëve e kanë komplikuar operacionin. Gazetari Enrik Mehmeti raporton nga vendngjarja se situata kërkon ndërhyrje emergjente dhe të koordinuar, pasi banorët kanë shprehur pakënaqësi për reagimin e vonuar të autoriteteve.

Ndërkohë, edhe në fshatin Kaninë, një vatër e madhe zjarri ka shkaktuar shqetësim gjatë natës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe ndihmës së banorëve, situata atje është përmirësuar ndjeshëm.

“Zjarri në Kaninë u vu nën kontroll falë bashkëpunimit me komunitetin lokal, megjithatë forcat janë të shpërndara në disa zona ku ende ka vatra aktive,” raportoi gazetari Mehmeti.

Sipas parashikimeve, gjatë ditës së sotme pritet një rritje e ndjeshme e erës, çka e rrit rrezikun për përhapjen e flakëve dhe vështirëson ndërhyrjen nga ajri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat