Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, komenton në emisionin “Opinion” në Tv Klan propozimet e kryeministrit Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste. Duke u ndalur te reduktimi i numrit të deputetëve nga 140 në 101, Manjani tha se kjo do të rriste cilësinë e parlamentit.
Ylli Manjani: Ne duhet të synojmë mbi të gjitha, në qoftë se reforma synon që të rrisë cilësinë e parlamentit, kjo do të ishte një gjë pozitive. Duke u reduktuar numri, rritet përqendrimi i dijes, i nejrëzve të mençur. Të zgjedhësh deputetë, në këtë rast ka më shumë peshë specifike një deputet në 101, sesa në 140.
Kushtetuta e ka të përcaktuar numrin, ndaj për Manjanin është koha që numri të jetë i lëvizshëm, në një hapësirë mes 80-100. Kjo do të kërkonte ndryshime kushtetuese dhe ai mendon se është momenti për një Kushtetutë të re.
Ylli Manjani: Unë do të sugjeroja që të mos ngrihej një numër fiks në Kushtetutë, por të ishte një numër fleksibël në raport me lëvizjet demokratike të Shqipërisë.
Blendi Fevziu: Sot një deputet zgjidhet me 11 mijë vota që është skandaloze.
Ylli Manjani: Kjo është një nga kriteret, por edhe kriteri formal, mos të ngrihet numri në Kushtetutë.
Blendi Fevziu: Të jetë një numër fleksibël.
Ylli Manjani: Mund të jetë maksimalisht i rritshëm, por jo shumë i rritshëm.
Blendi Fevziu: Sipas teje, kush do të ishte numri optimal për parlamentin?
Ylli Manjani: Unë do të isha diku te formula që mund të vësh një minumum 80, por jo më shumë se 100. Kjo do t’i përcaktonte formula herë pas here kur ti ke lëvizje të popullsisë.
Blendi Fevziu: Për të bërë një ndryshim të tillë, duhet një ndryshim kushtetues. Rama ka nevojë për reformat e opozitës, apo jo?
Ylli Manjani: Rama ka nevojë për reformat e opozitës dhe jo vetëm aq. Në qoftë se futet në Kushtetutë, është momenti që me gjithë mend të flitet në Shqipëri për një Kushtetutë të re.
Për reformën territoriale të propozuar, Manjani tha se numri i lartë i bashkive është jo proporcional me hapësirën gjeografike dhe banorët në territor. Ai sugjeron jo më shumë se 24 bashki.
Ylli Manjani: Sipas meje, po nxjerr më vete bashkinë e Tiranës që ka 500 mijë banorë, 2 milionë të tjerët do t’i ndaja në 20 bashki, 100 mijë banorë për bashki. Sot duhet të jenë 24, jo më shumë. Po të marrim si kriter popullsinë rezidente në vend se në fakt ti bashkinë e bën për popullsinë rezidente, jo ata që kanë ikur se do t’u shërbesh këtyre.
Për Manjanin, “opozita ka një shans të artë”, edhe pse është i bindur që “Rama do të ketë një skenar”. Reformës territoriale ai i shton edhe pakësimin e numrit të qarqeve duke u bazuar te kriteri i baseneve ujore.
Ylli Manjani: Duhet reduktimi i numrit të qarqeve, është një reformë e paprekur në Shqipëri. 12 qarqe janë shumë! Në qoftë se flasim që 60 bashki janë shumë, 12 qarqe janë gjithashtu shumë. Shqipëria për mua ka një kriter që e kanë sugjeruar të gjithë studiuesit. Kriteri i baseneve ujore. Kemi 6 basene kryesore ujore, duhet të kemi 6 qarqe sepse uji është zhvillimi.
Duke iu rikthyer edhe njëherë reformës për deputetët, Manjani thotë se Senati do të ishte zgjidhja më e mirë për jetën parlamentare.
Ylli Manjani: Senati, jemi të vonuar, për mua është zgjidhje politike dhe administrative e jashtëzakonshme.Krijon një hallkë senatorësh, njerëz të mençur të cilët krijojnë balanca politike dhe institucionale në vend. Senatorë të zgjedhur, me periudha të ndryshme nga parlamenti. Ti ruan dy nivele përfaqësimi, balancon republikën kryeministrore që kemi krijuar në gjithë këto vite. Në qoftë se duam jetë institucionale, Senati do të ishte një zgjidhje shumë e mirë.