I dyshuar si organizator i skemave piramidale në zonën e Divjakës, arrestohet 35-vjeçari

Shqipëria

I dyshuar si organizator i skemave piramidale në zonën e Divjakës, arrestohet 35-vjeçari

Më: 22 shtator 2025 Në ora: 20:47
Ilustrim

Është arrestuar 35-vjeçari i dyshuar si organizator i skemave piramidale online në zonën e Divjakës.

Qindra qytetarë nga Divjaka, Lushnja e zonat përreth ranë pre e mashtrimit duke investuar nga 1,000 deri në 5,000 dollarë, me premtimin për fitime të përjetshme.

Siç njofton policia, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale E.SH., si organizatori kryesor për zonën e Divjakës.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit njofton se, në vijim të operacionit “XUEX”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Fier dhe me mbështetjen e ngushtë të Prokurorisë së Fierit, është finalizuar ndalimi i personit të dyshuar si organizatori kryesor për zonën e Divjakës, shtetasi E. Sh., 35 vjeç.

Ky operacion tregon vendosmërinë e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit për goditjen e aktiviteteve mashtruese online, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të sigurisë publike.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e platformave mashtruese, si dhe të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale dhe bankare, në faqe apo aplikacione të pasigurta.

Çdo rast i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, si edhe pranë seksioneve përkatëse në çdo DVP.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat