Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar pas mbylljes së qeverisë në SHBA për shkak se ligjvënësit nuk ranë dakord për miratimin e fondeve buxhetore.
Selia diplomatike informoi në një postim në Instagram se faqja zyrtare e Ambasadës në rrjetin social nuk do të përditësohet rregullisht, “me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë”.
Gjithashtu theksohet se kjo situatë do të vijojë derisa të rinisë veprimtaria rregullishit.
Ndërkohë Ambasada Amerikane njofton se përgjatë kësaj periudhe “shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive”.
Ndërsa qytetarëve u kërkohet që për më shumë informacion mbi shërbimet e selisë diplomatike dhe statusin operativ të vizitojnë website: travel.state.gov.
“Për shkak të vonesës në miratimin e fondeve buxhetore, kjo llogari në Instagram nuk do të përditësohet rregullisht – me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë – derisa të rinisë veprimtaria e rregullt. Gjatë kësaj kohe, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive. Për më shumë informacion mbi shërbimet tona dhe statusin operativ, vizitoni: travel.state.gov”, informoi Ambasada e SHBA.