Pano Ruçi është babai i Denis Ruçit, një nga 57 viktimat e aksidentit tragjik hekurudhor në Tempi.
Ruçi prej 19 ditësh, vijon grevën e urisë para Parlamentit grek në Athinë në shenjë proteste. Ai kërkon zhvarrimin e djalit të tij 22-vjeçar, gjë që Prokuroria e Larisës ka dhënë aprovimin por babai i Denis Ruçit këmbëngul në vazhdimin e kësaj greve, për arsye se kërkon të identifikohen shkaqet e vdekjes të së birit.Së fundmi, gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar, duke përfunduar në spital.
Nëpërmjet një njoftimi nga mjekët e Pano Ruçit, mësohet se ky i fundit i është nënshtruar analizave dhe ekzaminimeve klinike, kardiologjike dhe patologjike.
Ekipi i mjekëve kanë bërë publike se Ruçi rrezikon që organet t’i dështojnë nga mosushqyerja. Gjithashtu, ai ka një histori personale të hipertensionit dhe të aritmisë kardiake.
Raportohet se, ai ka përjetuar ditën e djeshme një lodhje ekstreme, përgjumje, episode hipoglicemie dhe mpirje të gjymtyrëve të poshtme.
Ruçi ka humbur gjithsej 10 kilogramë që nga fillimi i grevës së urisë, ndërsa analizat e gjakut tregojnë prezencën e substancave që kanë ardhur si pasojë e ushqyerjes së reduktuar.
Pavarësisht gjendjes së tij të rënduar shëndetësore, ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend ndalojë grevën e urisë derisa kërkesat e tij të plotësohen.
Përpos kësaj, Pano Ruçi ka refuzuar të shtrohet në spital për të marrë mjekim të nevojshëm për diagnozat e dhëna nga autoritetet shëndetësore greke.