Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Ervin Salianji: Moment tmerri!

Shqipëria

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Ervin Salianji: Moment tmerri!

Më: 6 tetor 2025 Në ora: 17:27
Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, sot në Tiranë.

Ai e cilëson ngjarjen si më shumë se një krim të rëndë, duke e konsideruar atë një dështim të thellë të sistemit të sigurisë në vend.

Ai shtoi se dhuna brenda gjykatës është një goditje ndaj shtetit ligjor dhe sinjal alarmi për dështimin e shtetit në garantimin e rendit dhe mbrojtjes së qytetarëve.

Reagimi i Ervin Salianjit: 

Sot, kur një magjistrat është vrarë brenda mureve të gjykatës, në ambientin që duhet të jetë me i sigurti në republikë, nuk kemi të bëjmë thjesht me një krim të rëndë. Kemi të bëjmë me shfaqjen publike të dobësisë së sistemeve që duhet të na mbrojnë nga dhuna: policia, protokollet e sigurisë dhe shpërndarja e përgjegjësisë brenda shtetit. Duke ngushëlluar familjarët e gjyqtarit dhe personave të plagosur, ky moment tmerri nuk mund të kalojë pa përgjegjësi dhe veprim të vendosur.

Dhuna brenda një institucioni të drejtësisë është një goditje ndaj themeleve të shtetit ligjor. Sulmet ndaj magjistratëve janë jo vetëm tragjedi për familjet dhe kolegët, por edhe sinjal i qartë që institucionet tona po dështojnë në detyrën më themelore: të sigurojnë rregullin dhe të mbrojnë qytetarin dhe zbatimin e ligjit. Në të kaluarën kemi parë raste sulmesh dhe kërcënimesh ndaj magjistratëve, që tregojnë se rreziku ndaj institucioneve është i pranishëm dhe shqetësues.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat