Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, shkon në tre numri i personave të arrestuar

Shqipëria

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, shkon në tre numri i personave të arrestuar

Më: 7 tetor 2025 Në ora: 08:57
Foto ilustrim

Ka shkuar në tre numri i personave të arrestuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit teksa ushtronte detyrën e tij.

Përvec autorit të ngjarjes Elvis Shkambi, në pranga është vënë edhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi si dhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e së hënës (6 tetor), ku 30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin pasi mori vendim kundër xhaxhait të tij. Ai qëlloi me armë edhe ndaj palës kundërshtare në gjyq, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj.

Ngjarja

Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit pasditen e së hënës pasi shpalli një vendim për një konflikt pronësie, në një ngjarje të paprecedentë që u shoqërua me tronditje dhe shqetësime për sigurinë e sistemit gjyqësor.

Sipas Policisë së Tiranës, autor i ngjarjes dyshohet se është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç dhe palë në procesin gjyqësor. Shkëmbi ka plagosur gjithashtu kundërshtarët e tij në proces, babë e bir.

Kalaja u shoqërua në spital, po pa mundur të mbijetojë. Dy të plagosurit, atë e bir, gjenden nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Hetimi për vrasjen e gjyqtarit Kalaja po kryhet nga Prokuroria e Posaçme, e cila po verifikon arsyet e dështimit të masave të sigurisë në ambjentet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Vrasja e gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit u shoqërua me mesazhe ngushëllimi dhe tronditjeje nga institucionet e sistemit të drejtësisë si dhe përfaqësues të lartë të qeverisë dhe opozitës.

SPAK dhe Gjykata e Lartë e dënuan aktin e rëndë, ndërsa bënë thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata.

Kryeministri Edi Rama e dënoi gjithashtu ngjarjen e rëndë përmes një mesazhi në X, ndërsa paralajmëroi marrjen e masave të sigurisë dhe ashpërsimin e dënimit për armëmbajtjen pa leje. Gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Edi Rama është kritikuar për sulme të vazhdueshme ndaj magjistratëve të caktuar dhe vendimeve të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat