Kryeministri Edi Rama njoftoi se që në ditën e parë të nisjes së projektit “Paketa e Maleve” janë regjistruar 800 aplikime për investime.
Ai thekson rëndësinë e heqjes së burokracive dhe përshpejtimit të procedurave për investitorët.
“Duhet të zhduken burokracitë, që mos ketë vonesa, për ata që duan të investojnë”, tha Rama, duke shtuar se është e nevojshme të bëhen amendamentet përkatëse të ligjit për të lehtësuar ngarkesat ligjore.
“Vonesa nga ana juaj është vonesa juaj”, iu drejtua ai zyrtarëve përgjegjës.
Ai përshkroi “Paketa e Maleve” si një “ilaç për një dhimbje” për njerëzit që kanë tokën me zakon, por nuk kanë marrë ende dokumentacionin e nevojshëm.
“Ka shumë njerëz që nuk kanë pranuar ligjin 7501, ose nuk e kanë marrë dokumentin për shumë arsye, dhe që duan të investojnë në tokën e tyre, por nuk kanë letrat”, theksoi Rama. Ai kujtoi ligjin e vitit 2020 që u krijua për të adresuar këtë problem, por që “rezultati nuk është i dëshirueshëm” për shkak të komplikimeve me miratimet e kufitarëve të pronës.
Sipas Ramës, “Paketa e Maleve” është projekt i thjeshtë. “Ai që ka tokën vjen në bashki dhe thotë se dua të ndërtoj një agro-turizëm.”
Ky projekt synon të lehtësojë investimet në zonat rurale dhe malore, duke përmirësuar aksesin në dokumentacion dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këto zona.