Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, ka ekzekutuar masat e sigurisë ndaj tre punonjësve të policisë, të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm lojërash fati dhe shpërdorim detyre.
Masat “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” janë vendosur ndaj inspektorëve H. D., G. D. dhe E. Sh., të cilët akuzohen për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas AMP-së, nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale ka rezultuar se punonjësit e policisë, në bashkëpunim me shtetasin F. D. (i arrestuar më 23 mars 2025), kanë vënë në dispozicion ambientet e një bar-kafeje në pronësi të tyre për organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Ndërkohë, një prej efektivëve, E. Sh., dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, për të kërkuar të dhëna të mjeteve në favor të personave të tretë.