Policia e Shtetit ka arrestuar katër persona si pjesë e operacionit të koduar “Game”, për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve në fshatin Mullet të Tiranës, në lokalin e shtetasit R. K., u gjet një makinë për lojëra fati.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestuan shtetasit R. K., 36 vjeç (pronari i lokalit) dhe K. K., 29-vjeç, i cili u kap në lokal, duke luajtur lojëra fati.
Gjithashtu, u arrestuan shtetasit F. A., (20) dhe E. V. (18), pasi u kapën në një lokal tjetër në Farkë, duke luajtur lojëra fati, raporton KosovaPress.
Gjatë kontrolleve në këto dy lokale, u gjetën dhe u sekuestruan një makinë për lojëra fati, një kompjuter, katër telefona mobilë dhe një shumë parash. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.