Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë, duke përkujtuar flamurin, Ismail Bej Vlorën, Isa Boletinin dhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.
“Ndaj sot në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë 113 vjetorin e saj ne nderojmë dhe përulemi me mirënjohjen më të thellë për Flamurin tonë Kombëtar, babain e Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Bej Vlorën dhe Isa Boletinin dhe etërit e tjerë të saj, nderojmë qindra e mijëra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor për Shqipërinë e Lirë dhe të pavarur. Prandaj të dashur miq ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë gëzuar këtë ditë, përjetësi, zhvillim dhe begati”, tha Berisha.
Sidoqoftë, Berisha nuk la pa kritikuar qeverinë.
“Por ne festojmë këtë ditë të madhe nën diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, Pashiqit të Tiranës që në një hark kohor 10 vjeçar ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, zëvendësoi zgjedhjet e lira me farsat zgjedhore dhe me politikat e regjimit kleptokratik po shkreton dhe zbrazë sa asnjë pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët. Vetëm për në zonën Shengen në 10 vite u larguan 1, 1 milionë shqiptar dhe për këtë ne sot jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë. Edi Rama është një armik i egër i qënies shqiptare që komploton ditë e natë me Beogradin kundër Kosovës. Le të na frymëzojnë festat e kësaj dite për të çliruar sa më shpejtë Shqipërinë nga regjimit i Pashiqit të Tiranës”, u shpreh kryedemokrati.