Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaron se “Paqja Fiskale” është pazari i radhës që qeveria bën me klientët dhe oligarkët.
Erisa Xhixho:
Paqja fiskale është pazari i radhës që qeveria bën me klientët dhe oligarkët. Qeveria refuzon të bëjë publike të dhënat e debitorëve që do të përfitojnë prej saj, duke u fshehur pas justifikimit për konfidencialitet.
Nuk është “konfidencialitet”, është strategji politike për të mbrojtur klientët dhe oligarkët! Ndërsa qytetarët paguajnë çdo detyrim, edhe për shërbime që nuk i marrin, listat e përfituesve të kësaj skeme mbetet sekret.
Neni 25/1 i Ligjit për Procedurat Tatimore e thotë qartë: të dhënat e tatimpaguesve me detyrime të papaguara dhe me procedurë të nisur të mbledhjes me forcë NUK janë konfidenciale.
Pra publikimi LEJOHET nga ligji. Qeveria po e shkel qëllimisht.
Në gati 15 vite është akumuluar një borxh gjigand prej 1.7 miliardë eurosh dhe 200 mijë debitorësh ndaj Tatimeve. A janë këta përfituesit e vërtetë të paqes fiskale, apo ka edhe të tjerë të padukshëm në listë?
Kjo skemë dëmton ekonominë, buxhetin dhe ligjin. Transparenca e saj prish pazaret e qeverisë.
Kjo amnisti mund të shndërrohet në legalizim të çdo gjëje informale që ka ndodhur për vite me radhë — madje edhe në legalizim të pastrimit të parave.
Një akt i tillë do të dekurajojë pagimin e taksave në të ardhmen. Tatimpaguesit dhe bizneset do të besojnë me të drejtë se çdo shkelje e sotme do të falet nesër. Ky është mesazhi më i rrezikshëm që një qeveri mund t’i japë ekonomisë së vendit. Paqja Fiskale nuk është paqe. Është pazari fiskal i qeverisë.