Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht deputeti Fatmir Mediu, morën pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU), e mbajtur në Uashington të SHBA-ve.
Në fjalën që mbajtën, dy ligjvënësit opozitarë kanë denoncuar situatën e rëndë politike dhe të lirive në Shqipëri, përfshi edhe farsën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit. Deputetja Vokshi përshkroi “situatën e rëndë dhe krizën e thellë të demokracisë në të cilën ndodhet Shqipëria”.
“Vendi është zhytur në një autokraci elektorale, ku zgjedhjet manipulohen sistematikisht, institucionet kapen nga një qeveri e kontrolluar nga një njeri i vetëm, ndërsa media dhe opozita shtypen përmes presionit politik dhe veprimit selektiv të drejtësisë”, tha ajo ndër të tjera.
Vokshi ka deklaruar se Shqipëria është shndërruar nga qeveria e Edi Ramës në një vend të favorshëm për kartelet e drogës shqiptare e ndërkombëtare dhe një vend i sigurtë për pastrimin parave të aktiviteteve kriminale.
Ky realitet, sipas deputetes demokrate, “nuk është vetëm problem shqiptar, por është një rrezik për stabilitetin ekonomik dhe politik edhe të vetë vendeve europiane”.
Ndërsa deputeti dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu ka denoncuar gjendjen e rëndë të drejtësisë në vend, ku reforma e drejtësisë e miratuar me kontributin e madh të partnerëve ndërkombëtar.
“Shqipëria ndodhet sot në pikën më kritike të historisë së saj pluraliste. Ajo që dikur ishte një demokraci aspirante europiane, sot lëviz drejt autoritarizmit me një shpejtësi të frikshme. Nuk bëhet më fjalë për debat politik, për konkurrencë idesh apo për rotacion normal pushteti. Bëhet fjalë për mbijetesën e vetë demokracisë. Në këtë realitet mbytës autoritar, opozita jo thjesht sfidohet: ajo përndiqet. E drejta e votës jo vetëm shkelet: ajo vidhet. Sistemi i drejtësisë jo vetëm manipulohet: ai përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve”, tha ai.
Ai nuk e cilësoi apel diplomatik, por një thirrje alarmi fjalën e tij.
“Është një denoncim i qartë dhe i drejtpërdrejtë se Shqipëria po rrëshqet drejt modelit të Gjeorgjisë, duke humbur themelet e rendit perëndimor të të drejtave dhe lirive. Dhe pikërisht mbi këtë realitet, kjo rezolutë nuk është thjesht e nevojshme, por urgjente”, tha Mediu.
Ai tha gjithashtu se disa në Bruksel i shohin si antieuropianë pse punësuan menaxherin e fushatës së presidentit Trump.
“Por ja ku qëndron paradoksi më i madh: disa në Bruksel, madje edhe disa nga familja jonë IDU, zgjedhin të mos shohin. Pretendojnë se zgjedhjet ishin të lira, duke kundërshtuar edhe raportet e tyre. Pranojnë propagandën mbi të vërtetën. Dhe kanë arritur deri aty sa, vetëm sepse ne punësuam menaxherin e fushatës së Trump për zgjedhjet parlamentare, na trajtojnë si anti-europianë”, nënvizoi deputeti.
IDU ka lëshuar edhe një rezolutë për situatën në Shqipëri, të cilën e lexoi sot kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët.