Si pasojë e kushteve atmosferike dhe problematikave të krijuara në fshatin Dragostunjë në Librazh, është shënuar një rast rrëshqitjeje toke, e cila ka rrezikuar një banesë. Për arsye sigurie, familja është detyruar të evakuohet nga banesa.
Ndërkohë, probleme janë evidentuar edhe në furnizimin me energji elektrike, ku raportohen ndërprerje të energjisë në disa fshatra të Njësive Administrative Lunik, Stëblevë dhe Polis Qendër, në bashkinë Librazhd.
Në bashkinë Belsh, në fshatin Shelg të Njësisë Administrative Grekan, situata vijon të mbetet e pandryshuar, ku si pasojë e prurjeve të mëdha të lumit Devoll janë përmbytur sipërfaqe toke djerrë dhe toka bujqësore.
Po ashtu, në bashkinë Cërrik, prurjet e lumit Devoll kanë sjellë dalje të ujit në disa pika, duke përmbytur disa sipërfaqe toke bujqësore, por pa rrezikuar zonat e banuara. Prurjet e lumit Shkumbin paraqiten të larta, por deri në këto momente nuk raportohen probleme.
Dhjetëra shtylla të tensionit të mesëm janë thyer dhe linja elektrike janë këputur në disa fshatra të bashkive Librazhd dhe Përrenjas, si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të dendura të dëborës.
Si rrjedhojë, banorët raportojnë ndërprerje të energjisë elektrike dhe shqetësime për sigurinë, për shkak të telave të rënë në terren.