Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka bërë të ditur se gjatë një vizite në Kiev ka marrë Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi I, një dekoratë e lartë e Ukrainës, e dhënë nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy.
Spiropali theksoi se Ukraina sot përfaqëson një betejë jo vetëm ushtarake, por edhe morale, ku po vendoset e ardhmja mes frikës dhe vlerave.
Sipas saj, e ardhmja do të ndërtohet nga forca e njerëzve dhe e parimeve që ata mbrojnë, dhe jo nga armët.
Fjala e ministres:
Sot, ne Kiev, me përulësi dhe një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, pranova Urdhërin e Princeshës Olga, Klasi I, akorduar dhe dorëzuar nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy.
E pranova këtë Urdhër të Lartë jo vetëm në emrin tim personal, por në emrin e çdo qytetari shqiptar, si dhe në emër të vlerave të shenjta njerëzore dhe solidaritetit që të gjithë, gratë, vajzat, djemtë dhe burrat shqiptarë strehojnë në zemrat e tyre.
Ukraina është sot fushëbeteja jo vetëm e luftës, por edhe e ndërgjegjes sonë kolektive. Aty, do të shkruhet nëse e ardhmja do të jetë e diktuar nga frika apo nga vlerat.
Dhe kam bindjen, sot edhe një herë më shumë, që e ardhmja, ashtu siç ka thënë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, nuk do të shkruhet nga forca e armëve, por nga forca e njerëzve dhe vlerave të tyre.