Rama: Parku i Liqenit të Paskuqanit, “mushkëria” e re 84-hektarëshe

Shqipëria

Rama: Parku i Liqenit të Paskuqanit, “mushkëria” e re 84-hektarëshe

Më: 19 janar 2026 Në ora: 16:54
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë sot pamje nga transformimi i Parkut të Liqenit të Paskuqanit, duke e cilësuar atë si një hapësirë të rilindur që po ndryshon jetën e komunitetit dhe ekonominë e zonës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë vuri në dukje se ky projekt nuk është thjesht një hapësirë e gjelbër, por një pol i ri urban që ka sjellë një impakt të drejtpërdrejtë në tregun imobiliar.

Sipas Ramës, parku shtrihet në një sipërfaqe prej 84 hektarësh dhe ofron një infrastrukturë moderne për banorët e Tiranës dhe Kamzës. Ndër elementët kryesorë të projektit përmenden:

Pedonalja e re me gjatësi 5.2 kilometra;

Korsi të dedikuara për biçikleta;

Fusha sportive dhe kënde lojërash për fëmijë;

Amfiteatri dhe moli i ri mbi liqen.

“Në Parkun e Liqenit të Paskuqanit, një hapësirë e rilindur prej 84 hektarësh, me një infrastrukturë që përfshin pedonalen e re 5.2 km, amfiteatrin, molin, kënde lojërash, korsi biçikletash, e fusha sportive, që mikpret në çdo ditë me mot të mirë mijëra banorë të zonës”, shkruan Rama.

Impakti ekonomik dhe social

Kryeministri theksoi se investimi e ka kthyer zonën në një destinacion të frekuentuar masivisht, duke mikpritur mijëra banorë në çdo ditë me mot të mirë. Përveç aspektit rekreativ, Rama nënvizoi rëndësinë ekonomike të këtij transformimi për familjet që jetojnë aty pranë.

“Ka rritur ndjeshëm vlerën e pronave përreth”, shkruan Rama në postimin e tij.

Transformimi i Liqenit të Paskuqanit vjen si pjesë e projekteve për rigjenerimin urban, duke synuar krijimin e hapësirave të reja rekreative jashtë qendrës së Tiranës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat