Sa i ka kushtuar Edi Ramës ftesa për të qenë pjesë e Bordit të Paqes në Gaza? Evi Kokalari zbulon të pathënat,…

Shqipëria

Sa i ka kushtuar Edi Ramës ftesa për të qenë pjesë e Bordit të Paqes në Gaza? Evi Kokalari zbulon të pathënat,…

Më: 20 janar 2026 Në ora: 10:20
Evi Kokalari dhe Edi Rama

Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka reaguar ashpër pas publikimit të ftesës së presidentit Donald Trump drejtuar Edi Ramës për përfshirjen e Shqipërisë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes” për Gazën, duke hedhur poshtë pretendimin e kryeministrit se bëhet fjalë për një nder të veçantë ndërkombëtar.

Sipas Kokalarit, ftesa nuk është as ekskluzive dhe as simbolike, por pjesë e një nisme të gjerë globale, e shoqëruar me angazhime konkrete politike dhe financiare, të cilat Rama dyshohet se po i mban të fshehura nga publiku. Kokalari ngre dyshime serioze se pas kësaj ftese mund të fshihen kontrata, detyrime miliardëshe ose “kompensime” në formë territoresh dhe marrëveshjesh strategjike, duke kërkuar transparencë të plotë dhe nisjen e hetimeve nga SPAK për të zbuluar se çfarë ka firmosur realisht kryeministri dhe kujt po ia vë në dispozicion Shqipërinë.

Ja çfarë shkruan Evi Kokalari në rrjetet sociale

“Edi Rama më në fund publikoi letrën e ftesës nga Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes në Gaza…  Por Edi Rama lë shumë detaje jashtë. Në radhë të parë, sipas raportimeve të Bloomberg dhe mediave të tjera ndërkombëtare si Middle East Eye, The Times of India dhe The Straits Times, ftesa u është dërguar shumë shteteve, duke përfshirë Shqipërinë, Brazilin, Qipron, Hungarinë, Italinë, Rumaninë, Indinë, Argjentinën dhe Kanadanë. Kjo nuk është një nder ekskluziv siç e prezanton Rama, por një thirrje e gjerë për pjesëmarrje në një iniciativë të Trump-it për rindërtimin dhe qeverisjen e përkohshme të Gazës. Lexoni letrën e Ramës vetë – në faqen e dytë, Trump i referohet “charter-it të bordit” si dhe planit gjithëpërfshirës të këtij projekti.

Madje, Trump thekson se shteti – në rastin tonë, Shqipëria nën drejtimin e Ramës – duhet të nënshkruajë pikërisht charter-in e bordit për t’u bërë pjesë e bordit themelues. Pra, këtu ka një kontratë të qartë, dhe për t’u bërë pjesë e saj, duhet të nënshkruash dhe të pranosh kushtet e saj. Sipas Bloomberg dhe raportimeve të tjera, një nga kushtet kryesore është kontributi i 1 miliard dollarëve në vitin e parë për fondin e “Bordit të Paqes”, i cili do të mbikëqyret nga vetë Trump dhe ekipi i tij, duke përfshirë Jared Kushner-in.

Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se nuk kërkohet 1 miliard dollarë për të hyrë fillimisht, por për të mbetur pjesë e bordit përtej 3 viteve të para – një dallim që nuk ndryshon thelbin: angazhimi financiar është i detyrueshëm për pjesëmarrje të plotë. Se çfarë po bën Trump këto kohë është temë për diskutime të gjata, por Edi Rama, nëse ky është një nder kaq i madh, do ta kishte botuar këtë lajm së pari në X ku e ndjekin të huajt, duke përfshirë liderë të tjerë shtetesh. Pse ka nevojë ta tregojë vetëm para nesh, dhe jo para kolegëve të huaj?  Përveçse, ndoshta, kolegët e tij kanë marrë të njëjtën ftesë dhe e kanë refuzuar.  Në fakt, raportet tregojnë se Izraeli e ka refuzuar këtë bord (dhe me të drejtë, sipas disa analistëve).

Më parë ju kam vënë në dijeni për aktivitetet e Jared Kushner-it në Gaza – sipas raportimeve nga The Guardian, ABC News, New York Post dhe Wall Street Journal, Kushner-i është i përfshirë në plane për rindërtimin e Gazës si një “smart city” me resorte luksoze, duke e quajtur bregdetin e Gazës “pronë shumë të vlefshme në bregdet”. Kritikët e akuzojnë për konflikt interesi, pasi fondi i tij Affinity Partners ka marrë miliarda dollarë nga fondet sovrane të Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve.  Edi Rama, nëse nuk ka nënshkruar për të dhënë 1 miliard dollarë CASH në vitin e parë, kuptoni se ka investuar bollshëm duke “falur” Sazan-in dhe zona të tjera.

Po ashtu, ka marrëveshje me Emiratet për projektin 2 miliardë euro në bregdetin e Durrësit, që kritikohet për mungesë transparence dhe favorshmëri fiskale. Nëse Rama beson realisht se këto “idiotlliqe” do t’i ngrenë vlerat, më lejoni t’i kujtoj se nuk ka medalje apo kontrata idiote që mund të ndryshojnë reputacionin e tij të dëmtuar nga akuzat për korrupsion.  Si e tillë, është tejet e nevojshme që Rama të bëjë publike urgjentisht çfarë ka nënshkruar me këtë ftesë, dhe mbi të gjitha, të bëjë publike marrëveshjet me Emiratet – që janë kontrata bashkëpunimi që nuk mund t’i aprovojë e firmosë vetë pa kaluar në Parlament.  Sigurisht, vetëm nëse ka tapinë e Shqipërisë në emër të Kristaq Ramës, bujrum, bëje publike – ndryshe, bë publike çfarë ke firmosur në emër të këtij kombi dhe bëje urgjentisht.  Ndryshe, SPAK duhet të nisë hetimet për të zbuluar kujt po ia shet Shqipërinë.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat