PD: Krimi i rëndë mjedisor me mbetjet e rrezikshme, Prokuroria s’preku njerëzit e Ramës!

Shqipëria

PD: Krimi i rëndë mjedisor me mbetjet e rrezikshme, Prokuroria s’preku njerëzit e Ramës!

Më: 4 shkurt 2026 Në ora: 12:44
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari

Partia Demokratike denoncoi sot jo vetëm krimin mjedisor që doli zbuluar një vit më parë me 2800 tonë mbetjet toksike në kontejnerët që dërgoheshin nga “Kurum” drejt vendeve aziatike, por edhe përjashtimin nga përgjegjësitë politike dhe penale.

Ai akuzoi 2 ministrat e kabinetit “Rama”, Pirro Vengu dhe Mirela Kumbaro, se shpëtuan nga përgjegjësia me ndihmën e Prokurorisë së Durrësit, pasi drejtonin dikasterët e linjës kur ndodhi ngjarja, Mjedisi dhe Mbrojtja.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, doli sot me një konferencë për mediat, ku renditi të gjitha shkeljet, përgjegjësitë dhe atë çfarë ndodhi vitin e kaluar, me afera ku “ministrat e Ramës nuk preken”, sipas tij.

“Aksioni i prokurorisë kundër trafikut të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme provoi një fakt të thjeshtë: për këtë krim të rëndë mjedisor nuk ka asnjë përgjegjësi politike. Ministrja e Mjedisit nuk mban përgjegjësi. Drejtori i Portit të Durrësit nuk mban përgjegjësi. Siç e kemi paralajmëruar nga kjo Foltore, por edhe në terren, Prokuroria e Durrësit amnistoi Mirela Kumbaron dhe Pirro Vengun për krimin më të madh mjedisor të regjistruar në vend”, tha ai mes të tjerash.

Dhe më tej ai akuzoi direkt ministrat e linjës për këtë skandal, si përgjegjës që nuk parandaluan krimin mjedisor, por edhe nuk u mbajt përgjegjësi pas zbulimit të rastit.

“Edhe pse të lidhur drejtpërdrejt me trafikun e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme, përgjegjësit jo vetëm që nuk u ndëshkuan, por u promovuan. Kumbaron e 2800 tonëve të mbetjeve të rrezikshme e dërguan të ‘edukojë’ fëmijët tanë. Vengun e 108 kontejnerëve të rrezikshëm e caktuan të ‘mbrojë’ gjithë atdheun”, tha Muçollari.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Grigels Muçollari:

“Aksioni i prokurorisë kundër trafikut të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme provoi një fakt të thjeshtë: për këtë krim të rëndë mjedisor nuk ka asnjë përgjegjësi politike. Ministrja e Mjedisit nuk mban përgjegjësi. Drejtori i Portit të Durrësit nuk mban përgjegjësi.

Siç e kemi paralajmëruar nga kjo Foltore, por edhe në terren, Prokuroria e Durrësit amnistoi Mirela Kumbaron dhe Pirro Vengun për krimin më të madh mjedisor të regjistruar në vend.

Kemi parë shfaqjet publike të Kumbaros si ministre, duke ndjekur qytetarët dhe duke i fyer për një qese mbeturinash. Ndërkohë, nën përgjegjësinë e saj, 2800 tonë mbetje të rrezikshme u ngarkuan në Elbasan, u transportuan në Durrës dhe u nisën drejt Tajlandës.

Kemi parë po ashtu shfaqjet e Pirro Vengut si Drejtor i Portit të Durrësit, me deklarata për forcimin e sigurisë dhe kontrolleve, në bashkëpunim me policinë dhe doganat. Mburrje dhe propaganda boshe.

Në realitet, nën drejtimin e tij, 2800 tonë mbetje të rrezikshme, të shpërndara në 108 kontejnerë, u ngarkuan pa asnjë pengesë dhe u nisën drejt Tajlandës. Dhe kjo nuk ishte ngarkesa e parë. Ishin disa të tilla. Rreth 50 mijë tonë mbetje do të kishin ndjekur të njëjtin itinerar, po të mos ishte ndërhyrja e autoriteteve të vendeve të tjera dhe Rrjeti i Bazelit.

Prokuroria e Durrësit mori më shumë se një vit hetim dhe arriti në një përfundim të paracaktuar: fajtorë janë disa specialistë dhe disa drejtorë të nivelit të mesëm. Ky është një krim i dytë, edhe më i rëndë se ai mjedisor: krimi i pandëshkueshmërisë.

Mesazhi u dha qartë edhe një herë: njerëzit e Edi Ramës nuk preken. Ashtu siç po mbrohen edhe sot figura të tjera të përfshira në afera të rënda.

Edhe pse të lidhur drejtpërdrejt me trafikun e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme, përgjegjësit jo vetëm që nuk u ndëshkuan, por u promovuan. Kumbaron e 2800 tonëve të mbetjeve të rrezikshme e dërguan të ‘edukojë’ fëmijët tanë. Vengun e 108 kontejnerëve të rrezikshëm e caktuan të ‘mbrojë’ gjithë atdheun.

Kjo ndodh kur përgjegjësia, si hallkë morale e shoqërisë, nuk ekziston më për qeverinë. Në këto kushte, reagimi nuk është zgjedhje. Është detyrim.

Të bashkohemi më 10 shkurt, ora 17.00 te Kryeministria, ku mbrohen dhe frymëzohen të gjitha mbetjet e rrezikshme, mjedisore, politike dhe shoqërore. Duhet ndalur këta banditë të cilët nuk ndalen para asgjëje!”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat