Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e nëntë viktimave të mbetur nga sulmi me armë zjarri në një shkollë British Columbia, Kanada.
Përmes një postimi në platformën “X”, kreu i shtetit shkruan se Shqipëria solidarizohet me Kanadanë dhe se dënon çdo akt dhune që shkakton viktima.
“I tronditur nga të shtënat tragjike në një shkollë në British Columbia. Ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria solidarizohet me popullin kanadez dhe dënon çdo akt dhune që merr jetë njerëzore”, shkruan Begaj në platformën “X”.
Kujtojmë se nëntë persona humbën jetën dhe të paktën 25 të tjerë mbetën të plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri në komunitetin e vogël Tumbler Ridge, në provincën British Columbia.
Sipas policisë, autori i sulmit vrau nëntë persona përpara se t’i jepte fund jetës së tij brenda një shkolle të mesme. Gjashtë viktima u gjetën të pajetë brenda ambienteve të shkollës, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital. Trupi i autorit u gjet gjithashtu brenda shkollës dhe dy viktima të tjera u zbuluan në një banesë pranë.
Ende nuk janë bërë publike moshat e viktimave dhe as lloji i armës së përdorur në sulm.
Ky është sulmi i dytë më vdekjeprurës në një shkollë në historinë e Kanadasë, pas masakrës së vitit 1989 në Montreal, ku u vranë 14 persona në École Polytechnique.