Shqipëria plaket me ritmin më të lartë në Europë, mosha mesatare arrin 44.3 vjeç

Shqipëria

Shqipëria plaket me ritmin më të lartë në Europë, mosha mesatare arrin 44.3 vjeç

Më: 14 shkurt 2026 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Shqipëria po plaket më shpejt se çdo vend tjetër në Europë. Gjatë 10 viteve të fundit, mosha mesatare në vend është rritur me më shumë se 9 vite, duke arritur në 44.3 vjeç në fund të vitit 2025.

Mosha mesatare në Shqipëri ishte 44.3 vjeç në fund të vitit 2025, shumë pranë mesatares së Bashkimi Europian, që është 44.9 vjeç. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë një ndryshim të fortë demografik për vendin, pasi vetëm një dekadë më parë, në vitin 2015, mosha mediane ishte 34.7 vjeç.

Kjo do të thotë se Shqipëria është plakur me 9.6 vite brenda një dekade, ritmi më i lartë në kontinent dhe rreth pesë herë më i shpejtë se mesatarja europiane prej 2.1 vitesh në të njëjtën periudhë.

Sot, Shqipëria ka një moshë mesatare identike me atë të Çekia dhe Lituania, vende që prej vitesh përballen me sfida të thella demografike. Madje, vendi rezulton më i plakur edhe se fqinjët e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ekspertët paralajmërojnë se tkurrja e popullsisë në moshë pune do të sjellë më pak krah pune, më pak inovacion dhe presion në rritje mbi skemën e pensioneve dhe sistemin shëndetësor.

Nëse nuk ndërmerren politika për të frenuar emigracionin dhe për të nxitur lindshmërinë, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin e saj demografik dhe të përballet me vështirësi serioze për rritje ekonomike të qëndrueshme në vitet që vijnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat