ARRSH: Bllokohet rruga pranë Tunelit të Llogarasë, ndodh për shkak të punimeve

Shqipëria

ARRSH: Bllokohet rruga pranë Tunelit të Llogarasë, ndodh për shkak të punimeve

Më: 14 shkurt 2026 Në ora: 21:26
Llogara

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka sqaruar opinionin publik se bllokimi i rrugës në dalje të Tuneli i Llogarasë gjatë ditës së sotme është kryer në kuadër të masave të sigurisë për punimet në rrugët lidhëse të tunelit.

Sipas njoftimit zyrtar, një shpërthim i planifikuar është realizuar në orën 12:30, në prani të Policia e Shtetit, me qëllim menaxhimin dhe disiplinimin e qarkullimit të mjeteve. Për shkak të trafikut minimal në këtë periudhë, rruga u bllokua për rreth 20 minuta dhe, pas përfundimit të procesit dhe pastrimit të zonës, qarkullimi vijoi normalisht.

Punimet janë pjesë e segmentit të rrugëve lidhëse me tunelin dhe përfshijnë rehabilitimin e rrugës ekzistuese në një gjatësi prej rreth 1 kilometër, nga dalja e tunelit në anën e Palasës deri në kryqëzimin me rrugën e re Palasë–Dhërmi. Aktualisht po punohet për zgjerimin e aksit ekzistues, si dhe për ndërtimin e një aksi të ri prej rreth 600 metrash.

Gjatë gërmimeve, në rastet kur haset material i fortë shkëmbor, është i domosdoshëm përdorimi i shpërthimeve me sasi të vogla eksplozivi. Sipas ARRSH-së, pritet të realizohen edhe 5–6 shpërthime të tjera, ndërsa shpërthimi i radhës mund të kryhet ditën e mërkurë.

Autoritetet bëjnë me dije se punimet po vijojnë me ritëm të lartë, me synimin për t’u përfunduar përpara nisjes së sezonit veror.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat