Moti i keq dhe me dallgë, ndalohet për një ditë lundrimi në det i mjeteve të vogla!

Shqipëria

Moti i keq dhe me dallgë, ndalohet për një ditë lundrimi në det i mjeteve të vogla!

Më: 19 shkurt 2026 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Kapiteneria e Vlorës ka marrë masa për shkak të motit të keq dhe detit me dallgë që pritet në orët e ardhshme.

Me një njoftim zyrtar, Porti vë në dije se mjetet e vogla nuk do të lejohen të dalin në det të hapur nga dita e sotme deri nesër në mëngjes, ora 06:00.

Nuk ndalohet lundrimi për mjetet e mëdha, anikje tregtare dhe tragete.

Njoftimi i Kapitenerisë Vlorë:

“Njoftim mbi kushtet hidrometeorologjike të përkeqësuara gjatë datave 19-20.02.2026

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 19-20.02.2026, duke filluar nga ora 09:00 e datës 19.02.2026, në drejtimin JUG-JUGLINDJE me forcë deri 6–7 Bft, shpejtësi ere 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri 2.50 metra, ju njoftojmë :

Është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur, duke filluar nga ora 08:00 e datës 19.02.2026 deri në orën 06:00 të datës 20.02.2026.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 20.02.2026”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat